//Ambasadori i BE-së, z. Samuel Zhbogar e vlerësoi lart përparimin e Universitetit të Tetovës

Ambasadori i BE-së, z. Samuel Zhbogar e vlerësoi lart përparimin e Universitetit të Tetovës

2018-12-05T15:11:45+00:00 Dhjetor 05, 2018|
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, ekselenca e tij, z. Samuel Zhbogar, më 4 dhjetor 2018, e vizitoi Universitetin e Tetovës. Gjatë qëndrimit të tij në Universitetin tonë, аi fillimisht zhvilloi takim me Rektorin, Prof. Dr. Vullnet Ameti, dhe bashkëpunëtorët e tij.
Pas këtij takimi, ambasadori i Bashkimit Evropian, z. Samuel Zhbogar, mori pjesë në një debat të hapur me studentët me temë “Vizioni i të rinjve për ardhmërinë në BE”.
Ai tha se po e ristartojnë fushatën, të cilën delegacioni i Bashkimit Evropian e realizon me qytetarët në shtator për një të ardhme të përbashkët në Bashkimin Evropian, duke filluar nga Universiteti i Tetovës dhe se në kuadër të kësaj fushate në fokus kryesor janë vetë studentët dhe të rinjtë në përgjithësi. “Ne me delegacionin e Bashkimit Evropian menduam gjatë dhe kemi vendosur që të dalim më shumë jashtë Shkupit, me qëllim që të lidhemi më mirë me qytetarët e vendit, t’i dëgjojmë mendimet e tyre. Sikurse e kemi të njohur, në shtator delegacioni i Bashkimit Evropian organizon fushatë me moton: ‘Ta imagjinojmë të ardhmen së bashku’. Në kuadër të kësaj fushate kemi realizuar shumë takime me qytetarë nëpër shumë komuna të vendit tuaj dhe në një mënyrë vizita e sotme në Universitetin e Tetovës e ristarton dhe paraqet një rifillim të kësaj fushate. Mirëpo kësaj radhe do të fokusohemi te vetë studentët, që të bisedojmë dhe të dëgjojmë mendimet e tyre, komentet dhe vizionet që ata kanë për Bashkimin Evropian. Po ashtu do të dëgjojmë edhe këshillat që ata kanë dhe unë si ambasador i Bashkimit Evropian do të jem gjithmonë në dispozicion të studentëve dhe vetë qytetarëve, që të shpjegoj se cilat janë qëndrimet e Bashkimit Evropian për vendin tuaj” – u shpreh z. Samuel Zhbogar, ambasadori i BE-së në vend.
Ai po ashtu u shpreh se momentalisht të rinjtë nuk shohin kurrfarë ardhmërie në vend dhe se pikërisht për këtë e lëshojnë vendin. Ne si Bashkim Evropian, së bashku me qeverinë e Maqedonisë, jemi duke u munduar që të krijojmë ardhmëri për të rinjtë që të mbesin në vendin e tyre. Kjo mund të bëhet me implementimin apo realizimin e reformave, të cilat do të sjellin ndryshime të nevojshme me qëllim që t’i mbajmë njerëzit apo të rinjtë në vend dhe mendoj se kjo është shumë me rëndësi, sepse nëse ata shohin ardhmëri në vendin e vet atëherë nuk do ta ndiejnë nevojën që ta lëshojnë atë. Shpresojmë që me hapjen e mundshme të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian të rinjtë do të mund të shohin ardhmërinë e tyre përsëri në vend dhe pikërisht për këtë Bashkimi Evropian u kushton rëndësi të madhe të rinjve këtu. Vitin e kaluar përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për siguri dhe politikë të jashtme znj. Frederika Mogerini, në kuadër të vëmendjes që ne ua shprehim të rinjve, realizoi takime edhe me studentët, në të cilat u theksua se Bashkimi Evropian realizon shumë projekte për studentët dhe të rinjtë në përgjithësi, që kanë të bëjnë me vetëpunësimin e tyre. Gjithashtu ka shumë grande të BE-së që janë për të rinjtë me qëllim që ata të mbeten në vend dhe ta shohin të ardhmen në vendin e tyre” – shtoi mes tjerash ambasadori i BE-së, z. Samuel Zhbogar.
Në cilësinë e bashkëbiseduesit nga ana e nikoqirit të këtij debati, Doc. Dr. Shefik Shehu paraqiti përfitimet e shumta dhe mundësitë që Universiteti i Tetovës i ka shfrytëzuar vite me radhë, si pjesëmarrës në shumë platforma hulumtuese dhe zhvillimore të financuara nga Bashkimi Evropian. Ai mes tjerash e potencoi edhe vendosmërinë e treguar të Universitetit në ndjekjen e kursit euroatlantik, të dëshmuar në disa momente vendimtare si dhe angazhimin maksimal për zbatimin e reformave që rrjedhin nga procesi i Bolonjës e që kanë synim përafrimin me Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA). Ky përkushtim i Universitetit në azhurnimin e vazhdueshëm të ofertës akademike në të tri ciklet e studimeve universitare dhe jo vetëm, paraqet vetëm një nga masat e shumta në përgatitjen adekuate të të rinjve për sfidat e punësimit dhe fuqizimin e tyre në vendimmarrje si dhe aktivizim shoqëror. Ngjashëm, motivimi i studentëve ekselentë për vazhdimin e studimeve të mëtejme si dhe mundësinë e punësimit brenda komunitetit akademik ndihmon në përpjekjet tona për të parandaluar ‘ikjen e trurit’ nga vendi. Z. Shehu po ashtu vëri në dukje zbrazëtinë e kornizës ligjore që përcakton të rinjtë si një kategori e veçantë shoqërore, që dukshëm do të ndihmonte në fuqizimin dhe përfshirjen e tyre aktive në jetën shoqërore. Ekzistimi i një strategjie për të rinjtë, është vetëm një hap drejt përmirësimit të gjendjes apatike të të rinjve në shoqërinë tonë, theksoi z.Shehu.
Gjatë debatit studentët shtruan çështje nga më të ndryshmet, duke filluar nga sfidat me të cilat përballen shumë vende të rajonit në rrugëtimin drejt BE-së, si ato politike, burokratike, ekologjike, arsimore e shëndetësore. Për tejkalimin e pengesave të këtilla ambasadori foli për nevojën e seriozitetit të vendit në zbatimin e reformave, por nga ana tjetër edhe për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që BE-ja duhet ta tregojë ndaj shteteve kandidate. Në këtë kontekst, profesor Shehu nënvizoi edhe rëndësinë e aktivizmit social, përfshirjes në nivel individual të të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë, e me theks të veçantë të studentëve, në të gjitha aspektet që dalin nga përpjekja e vazhdueshme e vendit për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.
Pas takimit, ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni z. Samuel Zbogar, në një konferencë për shtyp shprehu fjalë miradije për arritjet që ka shënuar Universiteti i Tetovës pas gjithë atyre vështirësive me të cilat është përballur që nga themelimi e deri në ditët e sotme. “Jam shumë i lumtur që sot ndodhem në Tetovë, sidomos në Universitetin e Tetovës. Më duhet të them se është vizita ime e parë. Sot në mëngjes kisha një takim me Rektorin e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ametin, dhe mësova diçka më tepër në lidhje me historikun e Universitetit. Njeriu mund vetëm të komentojë mënyrën se si ky Universitet u zhvillua prej vitit 1994, kur ishte një Universitet ilegal dhe u rrit në një Universitet shtetëror, në një Universitet i cili sot ka një kampus të ri, ndërtesa të reja, të cilat ofrojnë kushte më të mira për vetë studentët. Po ashtu më duhet të them se kam fjalë miradije për progresin e bërë nga ana e këtij Universiteti gjatë viteve të kaluara” – tha Ambasadori i BE-së në vendin tonë z. Samuel Zhbogar.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, e falënderoi Ambasadorin e BE-së për vizitën e tij që bëri në Universitetin e Tetovës dhe fushatën e ndërmarrë për vetëdijesimin e të rinjve rreth sfidave të Bashkimit Evropian. “Sot kishim për vizitë ekselencën e tij, z. Samuel Zhbogar, në Universitetin e Tetovës. Ne si udhëheqësi e Universitetit e njoftuam ambasadorin për të arriturat e Universitetit, historikun e Universitetit dhe peripecitë që ka kaluar institucioni ynë deri në ditët e sotme. Ky projekt që sot realizohet ndërmjet Universitetit tonë dhe Ambasadës së Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë tash më ka hapur fushatën për të vetëdijesuar opinionin e gjerë që të jenë më optimistë rreth proceseve që kalon vendi ynë dhe ne të gjithë së bashku mundemi, duhet të jemi këmbëngulës dhe shumë optimistë se edhe ne një ditë do të jemi pjesë anëtare e Bashkimit Evropian” – theksoi Rektori i UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Pas përfundimit të ligjëratës së tij, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për bashkëpunimin me Universitetin e Tetovës, Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti, ambasadorit të Bashkimit Evropian në Maqedoni, ekselencës së tij, z. Samuel Zhbogar i ndau një dhuratë me figurën e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Zyra për informim