Në Universitetin e Tetovës, sot qëndroi për vizitë Ambasadori i Republikës së Italisë në Shkup, ekselenca e tij Andrea Silvestri. Ai u prit në takim nga rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili, prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Shefik Shehu, dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani dhe profesori i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Faton Shabani.

Në këtë takim u diskutua për fuqizimin e programit studimor të Filologjisë romane, drejtimi Gjuhë dhe Letërsi Italiane në kuadër të Fakultetit Filologjik dhe për ndihmën që mund të jep Ambasada italiane në forcimin dhe ndërtimin e kapaciteteve të katedrës përkatëse. Po ashtu, u diskutua edhe mbi mundësitë e tjera të bashkëpunimit në nivel akademik mes universitetit tonë dhe universiteteve nga Republika e Italisë.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili e falënderoi ambasadorin italian për bashkëpunimin dhe mbështetjen e deritanishme që populli italian përmes Ambasadës italiane në Shkup i ka dhënë dhe i jep Universitetit të Tetovës, që nga themelimi i tij.

Gjatë qëndrimit të tij në Universitetin e Tetovës, ambasadori i Italisë realizoi edhe një takim me dekanin e Fakultetit të Arteve të UT-së, Prof. Ord. Nafi Jashari dhe profesoreshën e këtij fakulteti Prof. Inord. Nora Halimi, ku u diskutua për realizimin e disa projekteve të përbashkëta në fushën e artit.