Universiteti i Tetovës mori pjesë në Panairin mbarëkombëtar të librit dhe shkencës, që u mbajt ditë më parë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ku përpos disa titujve shkencorë, e përuroi edhe botimin me titull “Viti 1968 – Sfidë e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni”, numër special i revistës periodike ndërkombëtare të shkencave humane dhe sociale “Philosophica”.
Revista shkencore “Philosophica” e Fakultetit Filozofik, është revistë periodike e themeluar në vitin 2014, që u jep mundësi hulumtuesve shkencorë që të gjejnë hapësirën e përshtatshme për të botuar punimet hulumtuese në fushat e shkencave sociale dhe humane.
Përurimin e revistës së lartpërmendur në ASHSH e udhëhoqi kryetari i Senatit i UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, ndërkaq detajet për rëndësinë e revistës dhe për indeksimin e saj në institucionet ndërkombëtare i paraqiti Prof. Dr. Agon Memeti.
Ai, në fjalën e tij theksoi se studimi, veprimtaria hulumtuese-shkencore dhe promovimi i saj reflektojnë seriozitetin institucional, qoftë si universitet, fakultet ose institut shkencor. “Revista “Philosophica” mëton të jetë emblemë e veprimtarisë shkencore jo vetëm e stafit akademik, por mbi të gjitha e veprimtarisë së të gjithë atyre që ushtrojnë veprimtari aktive studiuese. Me këtë “Philosophica” promovon veten si urë lidhëse mes institucioneve të ndryshme, si një urë e përvojave, shkencës dhe vlerave kulturore, duke i tejkaluar kornizat e ngushta institucionale”, u shpreh Prof. Dr. Agon Memeti.
Më pas u prezantua historiku i revistës dhe ngjarjet që i trajton në brendi. Më 22 dhjetor të vitit 2018, Universiteti i Tetovës, përkatësisht Fakulteti Filozofik, organizoi simpoziumin me titull “Viti 1968 – Sfidë e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni”, kushtuar 50 – vjetorit të demonstratave të dhjetorit 1968 në Tetovë, për flamurin kombëtar dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.
Historia na rrëfen se qëndresa e kombit tonë ndaj përpjekjeve të armiqve pushtues, shtypës e gjenocidal, përfshin data e vite të ndryshme. Njëra prej këtyre datave padyshim është edhe 22 dhjetori i vitit 1968, data e demonstratave në qytetin tonë – Tetovë.
Demonstratat e vitit 1968 mbeten një ngjarje e shënuar në historinë politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Kjo ngjarje realisht shënon reagimin më dinjitoz ndaj një sistemi, i cili në esencë ishte kundër qenies shqiptare, kundër simbolikës që identifikon shqiptarët si komb me identitet dhe me një histori të bujshme. Pikërisht në këtë vit, tetovarët demonstruan vullnetin e tyre kombëtar dhe afirmimin e identitetit të tyre historik dhe kulturor, duke shënuar kështu zgjimin e tyre, një zgjim që do të vijë nëpërmjet shumë figurave intelektuale rezistuese, por edhe të rinisë së asaj kohe, e cila pa hezitim u vendos në mbrojtje të dinjitetit kombëtar, në mbrojtje të flamurit, të shpaluar nga veprimtarët e asaj kohe.
Pesëdhjetë vjet pas demonstratave në Tetovë, besojmë se është krijuar distanca historike që këtë ngjarje ta shohim nga një kontekst më i gjerë, duke u shërbyer me shënime të ndryshme me mediet e kohës dhe me dokumentet e ndryshme arkivore.
Sipas studiuesve, demonstratat shpërthyen pas një akumulimi shumëvjeçar të revoltës kundër regjimit të dhunshëm jugosllav në raport me shqiptarët. Trazirat nuk ishin të rastësishme. Tetovës asnjëherë nuk i ka munguar fryma kombëtare dhe njihet si qendër rezistuese ndaj ideve pansllaviste. Gjithashtu, kujtesa kolektive kishte depozituar kujtime të hidhura prej një periudhe paraprake, veçanërisht prej viteve të para të regjimit komunist, kur shumë shqiptarë ishin ekzekutuar pa gjyq, shumë të tjerë ishin dënuar me burg të rëndë ose ishin detyruar të largoheshin dhe të kërkonin azil politik në shtete të ndryshme.
Vlen të theksohet se punimet e revistës “Philosophica”, në mënyrë periodike botohen dhe përkthen edhe në gjuhën angleze. E njëjta është e shtrirë në rrafshin ndërkombëtar, ku që nga viti 2018 të gjitha numrat e botuar dy herë në vit janë të indeksuar në 5 baza të dhënash ndërkombëtare si:
- Google Scholar
• Libraria online IndexCopenicus
• Libraria online e Europës Qendrore
• Libraria online ERIHPLUS e shkencave humane dhe sociale
• Libraria Online EBSCO
Revista ka një bord ndërkombëtar, në të cilin janë të përfshirë profesorë eminentë me veprimtari shkencore në arenën ndërkombëtare.
Prof. Dr. Agon Memeti në përmbyllje theksoi se “Philosophica” dhe revistat e Universitetit të Tetovës do të jenë shtyllë e pashmangshme e afirmimit të punës shkencore të kuadrit akademik dhe shkencorë brenda dhe jashtë Universitetit të Tetovës.