Dekani i Fakultetit Ekonomik të Suboticës i Universitetit të Novi Sadit, Prof. Dr. Nebojsha Gvozdenoviq, i shoqëruar nga prodekani për shkencë i këtij fakulteti, Prof. Dr. Aleksandar Çuçkoviq e vizituan Universitetin e Tetovës.
Me këtë rast, ai u prit në takim pune nga dekani i Fakultetit Ekonomik të Universitetit tonë, Prof. Dr. Brikend Aziri. Kjo vizitë u zhvillua në suaza të kornizës shumëvjeçare të bashkëpunimit mes dy institucioneve në zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe, në degën e Fakultetit Ekonomik të Suboticës në qytetin e Bujanocit.
Po ashtu, në këtë takim palët diskutuan edhe për thellimin e bashkëpunimit në realizimin e leksioneve në gjuhë shqipe edhe në studimet e ciklit të dytë në institucionin e lartpërmendur, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejmë në interes të studentëve, të cilët i vijojnë leksionet në institucionin partner nën ombrellën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).