Dekani i Fakultetit Filologjik i Universitetit të Tetovës, Doc. Dr. Berton Sulejmani, më 21 mars 2019, mori pjesë në sesionin shkencor: “Kontributi i prof. Remzi Nesimit për gjuhën shqipe dhe gjuhësinë shqiptare” të organizuar nga Instituti për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.
Në këtë veprimtari me karakter shkencor, në të cilën merrnin pjesë emra të njohur studiuesish, Prof. Dr. Berton Sulejmani, e paraqiti studimin e tij shkencor: “Kontributi i profesor Remzi Nesimit për shqipen standarde në Maqedoni si dhe studimet e tij për Sintaksën e gjuhës shqipe”. Para auditorit pjesëmarrës në këtë sesion shkencor, dekani i Fakultetit Filologjik të UT-së theksoi se Prof. Dr. Remzi Nesimi do të mbetet sinonim i gjuhësisë shqiptare në Maqedoni e më gjerë. Ai po ashtu u shpreh se profesor Remzi Nesimi punoi pa u lodhur në shërbim të shkollës, të shkencës dhe të kulturës shqiptare.
“Veprimtaria e tij shkencore është e gjerë dhe e shumanshme. Askush nga gjuhëtarët shqiptarë, cilido që të jetë vokacioni a fusha themelore e kërkimit të tyre, nuk e ka quajtur dhe nuk e quan të tepërt ose të panevojshme që t’u kushtojë vëmendje edhe çështjeve që kanë të bëjnë me normën shqipes standarde. Prof. R. Nesimit i ka rënë barra së pari, që të përballojë çështjen e ndërlikuar, kisha thënë edhe nga faktorë jashtëgjuhësorë, të zhvillimit të shqipes standarde në Maqedoni. Luhatjet e shumta drejtshkrimore që viheshin re në praktikën shkollore dhe në shtypin tonë, i dhanë një detyrë kombëtare prof. Remziut që nëpërmjet shkrimeve të ndryshme të botuara në gazetën “Flaka e vëllazërimit”, por edhe nëpërmjet radio Shkupit etj., të bëjë përpjekje që të ngrejë nivelin e zbatimit të standardit gjuhësor dhe t’ua bëjë me dije arsimtarëve, gazetarëve, redaktorëve etj., se kujdesi për shqipen standarde, për njohjen e për zbatimin e normës gjuhësore, mbi të gjitha, është edhe detyrë kombëtare për të gjithë”- deklaroi Prof. Dr. Berton Sulejmani dhe shtoi se një nga rubrikat që zinte vend kryesor në gazetën “Flaka e vëllazërimit” ishte ajo me titull: ,,Ç’thotë profesori i shqipes”, këtë rubrikë e mbulonte z. Rexhep Zllatku, ndërsa profesori që jepte përgjigje ishte prof. Remzi Nesimi. Dekani i UT-së veçoi kontributin e profesor Remzi Nesimit për pastërtinë e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e saj nga fjalët e huaja.
“Pastërtinë e gjuhës në fushën e fjalorit, në kuptimin e mënjanimit të fjalëve të huaja të panevojshme, por edhe ndikimeve të maqedonishtes mbi shqipen në fushën e gramatikës do ta nxisin që prof. R. Nesimi të bëjë përpjekje të vazhdueshme gjatë punës së tij për t’i mënjanuar e për t’i zëvendësuar me fjalë shqipe si dhe kalket sllave për t’i zëvendësuar me ndërtime sintaksore të shqipes. Nga ndikimet sllave në fushë të sintaksës, profesori në mënyrë të veçantë trajton fjalorin e meshkujve, te të cilët përveç elementeve leksikore sllave, vëren edhe ndonjë ndikim në fushë të sintaksës, përkatësisht në ndërtimet sintaksore me lidhëza të maqedonishtes”- tha Prof. Dr. Berton Sulejmani gjatë elaborimit të studimit të tij në këtë sesion shkencor. Po ashtu rëndësi të posaçme profesori i UT-së i kushtoi edhe veprimtarisë botuese të profesorit tashmë të ndjerë, si p.sh.: botimit të teksteve shkollore (Gramatika të gjuhës shqipe për shkollat fillore dhe ato të mesme), monografi shkencore, artikuj shkencorë etj. “Librat e tij për sintaksën e shqipes, qofshin tekste shkollore a studime dialektore, padyshim kanë një vlerë të veçantë në krijimtarinë e tij. Ai ka dhënë një ndihmesë të vyer në studimin e sintaksës së gjuhës shqipe, duke hartuar disa “Sintaksa të gjuhës shqipe” që kanë shërbyer si tekste shkollore për shkollat fillore dhe për shkollat e mesme në Maqedoni. Teksti shkollor me titull Gramatika e gjuhës shqipe për shkollat e mesme II (SINTAKSA) me bashkautor mr. Valbona Toskën, do të jetë objekt yni për kontributin e tij në këtë fushë. Kjo vepër ka shërbyer si tekst mësimor edhe për arsimin e lartë (është përdorur, por edhe vazhdon të jetë literaturë plotësuese për studentët e katedrave të gjuhës shqipe në Shkup e Tetovë, por edhe për studentët e Fakultetit të Pedagogjisë në Shkup, Tetovë e më gjerë) për përgatitjen e mësimdhënësve të ardhshëm të gjuhës shqipe. Objekt yni i studimit gjithashtu do të jetë edhe një pjesë e studimeve të sintaksës popullore”- shtoi Prof. Dr. Berton Sulejmani.
Sipas tij,profesor Remzi Nesimi në rend të parë shquhet si gjuhëtar e pedagog i shkëlqyer, por pa e anashkaluar edhe punën e tij si prijës e organizator edhe i konferencës shkencore me rastin e 20-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tetovë (1992). Në përmbyllje të prezantimit të tij shkencor, dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani, vuri në dukje se frytet e punës së tij fisnike në shërbim të arsimit dhe të shkencës shqiptare, me theks të veçantë arsimit e gjuhësisë shqiptare që zhvillohet në këto treva shqiptare, me dashamirësinë dhe zemërgjerësinë e tij ka dhënë një ndihmesë të madhe edhe në përgatitjen e një plejade gjuhëtarësh të rinj.
Zyra për Informim