//Dekani i UT-së Prof. Dr. Berton Sulejmani në bashkautorësi me Prof. Dr. Veselinka Labroskën e promovuan librin me titull: “Libër bashkëbisedimesh maqedonisht-shqip / shqip-maqedonisht”

Dekani i UT-së Prof. Dr. Berton Sulejmani në bashkautorësi me Prof. Dr. Veselinka Labroskën e promovuan librin me titull: “Libër bashkëbisedimesh maqedonisht-shqip / shqip-maqedonisht”

2020-05-02T03:06:04+00:00 Maj 01, 2020|
Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani në bashkautorësi me Prof. Dr. Veselinka Labroskën, këshilltare shkencore në Institutin e Gjuhës Maqedonase “Krste Misirkov”-Shkup dhe profesoreshë në Programin Studimor Gjuhë dhe Letërsi Maqedonase në Universitetin e Tetovës, më 30 prill 2020, e promovuan “online” (https://youtu.be/i3XGgurfzJo) librin e tyre të radhës me titull: “Libër bashkëbisedimesh maqedonisht-shqip / shqip-maqedonisht” (“Македонско-албански / Албанско македонски разговорник”). Botuesit e këtij libri bashkëbisedimesh, Qendra për Dialog – Nansen, Shkup dhe Komisari i Lartë i Pakicave Kombëtare, mundësuan realizimin e këtij projekti tejet të bukur, gjithnjë, për ta nxitur komunikimin ndërmjet dy popujve, maqedonasve dhe shqiptarëve, në Maqedoninë e Veriut.
Krahas botimit si libër, të njëjtin, mund ta shkarkoni falas, për celular Android nga Play Store, ndërsa për iOS nga App Store.
– Për Android: https://bit.ly/fraza-android
– Për iOS: https://bit.ly/fraza-ios
Po ashtu, librin mund ta gjeni edhe në ueb faqen www.fraza.mk nga e cila mundet të shkarkohet aplikacioni për kompjuter personal.
Libri përmban këto pjesë: Parathënie, Përmbajtje e Fjalë themelore brenda së cilës janë dhënë këto përmbajte: Numra, Përshëndetje, Shprehje të mirësjelljes, Ditë të javës, Muaj të vitit, Emra qytetesh të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Emra qytetesh të mëdha nga rajoni i afërt, Emra shtetesh, Festa, Frazeologji shqip-maqedonisht, Frazeologji maqedonisht-shqip. Në vazhdim, përkatësisht në pjesën kryesore të librit janë përfshirë 42 dialogë në të cilët janë dhënë situata interesante e karaktere të veçanta. Ja disa nga titujt të dialogëve: Në taksi, Në stacionin hekurudhor, Në tren, Në qoshk, Në autobusin e qytetit, Në gjimnaz, Në postë, Për në aeroport, Informacione, Njohje, Në kampin veror, Në zyrën e gjendjes civile, Te këpucëtari, Në restorant, Në treg, Shëtitje, Udhëtim me anije etj.
Dialogët realizohen nëpërmjet karaktereve të veçanta të cilët flasin në gjuhën standarde shqipe e maqedonase, por që dialogu të jetë sa më i kapshëm, kemi dhënë edhe variante të gjuhës së përditshme. Pas secilit dialog, është dhënë nga një fjalorth me fjalë/shprehje të marra nga situata e dhënë dhe nga një pjesë fare e shkurtër për njohje elementare të gramatikës duke veçuar një pjese të ligjëratës (folje, emër, mbiemër, përemër, lidhëz, parafjalë, nyje etj.) nga dialogu i dhënë. Të gjithë këtë mbarështim, e kanë menduar dhe e kanë punuar me përkushtim të madh, autorët Sulejmani e Labroska. Për t’i thelluar njohuritë, në fund të çdo dialogu, kanë dhënë nga një fjalë të urtë me kuptim të njëjtë për të dy gjuhët, shqipen e maqedonishten. Brenda dialogëve, janë dhënë edhe fakte të rëndësishme historike e gjeografike për ato vende ku dhe zhvillohet ngjarja nga personazhet e këtij libri.
Me ndihmën e këtij libri bashkëbisedimesh, gjithsecili që do, mund ta mësojë qoftë gjuhën maqedonase, qoftë gjuhën shqipe. Nëpërmjet dialogëve të këtij libri, madje i pari i këtij lloji në vendin tonë, mund të mësoni drejtshqiptimin dhe drejtshkrimin e të dy gjuhëve, më lehtë dhe më shpejt, vetëm duke shtypur disa butona që jua japin aplikacionet e mësipërme elektronike, ose nëpërmjet mënyrës më të zakonshme, duke shfrytëzuar versionin e shtypur.