Studentët e ciklit të tretë në Universitetin e Tetovës, më 30 mars 2018, realizuan një punëtori në kuadër të lëndës Metodologjia e hulumtimit shkencor, të cilën e ligjëron Prof. Dr. Vullnet Ameti, Rektori i Universitetit të Tetovës.
Gjatë mbajtjes së punëtorisë, studentët nën udhëheqjen e mësimdhënësve të fushave specifike shkencore, u përkrahën për realizimin e aktiviteteve të tyre në kuadër të grupeve të punës me këto tematika që ndërlidhen me hapat e përpilimit të projektit ideor të hulumtimit, si: ngritja e tezës; struktura e tezës; llojet e punimeve; qëllimi i hulumtimit; problemi i hulumtimit; hipotezat; mostra; metodat; rezultatet; citimet; fusnotat; literatura; etika metodologjike; roli i mentorit; shkrimi akademik dhe drejtshkrimi.
Punëtoria me doktorantët e gjeneratës 2018/2019 edhe këtë vit u realizua në 6 grupe, ku studentët në veçanti patën mundësi që të fitojnë njohuri shtesë nga udhëheqësit e grupeve rreth përpilimit të disertacionit të doktoraturës, me qëllim që planifikimi dhe ecuria e një studimi të realizohet me matje dhe analiza përkatëse shkencore, duke respektuar të gjithë hapat e caktuar për arritjen e qëllimeve shkencore.

Zyra për Informim