//Dr. Dane Sobek nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ligjëroi në Universitetin e Tetovës

Dr. Dane Sobek nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ligjëroi në Universitetin e Tetovës

2018-05-17T16:24:58+00:00 Prill 11th, 2018|
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 7 Prillit, Ditës Botërore të Shëndetësisë, më 10 prill 2018, në hapësirat e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, ky fakultet në bashkëpunim me grupin shkencor dhe Parlamentin Studentor organizoi një ligjëratë sensibilizuese për shëndetin e njeriut me mjekun amerikan Dr. Dane Sobek.

Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr. Nasir Bexheti, tha se organizimi i ligjëratave profesionale që realizohen nga mjekë të ndryshëm ndërkombëtarë është një ndihmesë e madhe si për stafin akademik ashtu edhe për studentët, ngase ligjëruesit para tyre prezantojnë përvojat personale nga lëmi të ndryshme të mjekësisë.

Profesorëve dhe studentëve të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë me fjalë rasti iu drejtua edhe Dr. Timothy Gaul. Ai u shpreh mjaft i kënaqur për bashkëpunimin që ka me Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, e në veçanti me grupin shkencor dhe studentët. Ai tha se studentët kanë qenë shumë aktiv në të gjitha aktivitetet të cilat janë realizuar në kuadër të projektit “Mjekët amerikan në Maqedoni”.

Ndërsa mjeku amerikan Dr. Dane Sobek, kardiolog i fushës së kardiologjisë intervente gjatë prezantimit të ligjëratës së tij u fokusua mbi lëmin e kardiologjisë intervente si një ndër degët e specializuara për mjekimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Ai u kushtoi rëndësi të veçantë edhe metodave më të reja të stendave dhe aplikimit të tyre, duke u ndalur edhe në prevalencën e paraqitjes së këtyre sëmundjeve në mbarë botën.

Këtë vit Organizata Botërore e Shëndetësisë, 7 Prillin, Ditën Botërore të Shëndetësisë e shënoi nën moton “Shëndet për të gjithë” dhe e caktoi fushën e kardiologjisë si temë kryesore për t’u trajtuar. Për nder të kësaj dite, studentët dhe profesorët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë organizuan marsh me moton “Marshojmë për shëndet”.