Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës, më 10 qershor 2026, e ka përmbyllur vitin akademik me organizimin tradicional të ekspozitës vjetore të studentëve. Në ambientet e këtij fakulteti janë prezantuar punime të shumta që dëshmojnë talentin, kreativitetin dhe përkushtimin e studentëve në mentorimin e profesorëve të tyre.
Në hapjen solemne të këtij aktiviteti, të pranishmëve me fjalë rasti iu drejtua dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senad Abduli. Ai i vlerësoi arritjet artistike të studentëve dhe i përgëzoi ata për punën e palodhshme që po e demonstrojnë përmes këtyre veprave. “Sot, në këtë ditë të bukur të përmbylljes së vitit akademik, ndihem jashtëzakonisht i lumtur që në muret e fakultetit tonë janë ekspozuar punimet tuaja. Këto vepra përfaqësojnë jo vetëm talentin dhe kreativitetin tuaj, por edhe mundin, përkushtimin dhe sakrificën që keni bërë gjatë gjithë procesit të studimeve, së bashku me profesorët e lëndëve përkatëse. Ndihem krenar për rezultatet e shkëlqyera që po i demonstroni dhe për nivelin artistik që po e dëshmoni përmes këtyre punimeve. Me këtë rast, kam edhe një lajm shumë të mirë për ju. Me ndihmën e një fotografi të mirënjohur, me mbështetjen e Universitetit të Tetovës dhe falë donacionit të pjesshëm të z. Isa Fazliu (Marmofix), kemi siguruar një pjesë të mjeteve të nevojshme për formimin e laboratorit të fotografisë në fakultetin tonë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të studimit dhe krijimit, duke u ofruar studentëve mundësi më të mira për zhvillimin e aftësive të tyre profesionale dhe artistike. Absolventëve u uroj shumë suksese në rrugëtimin e tyre të ardhshëm profesional dhe artistik. Jam i bindur se dijet dhe përvojat e fituara gjatë studimeve do t’ju shërbejnë si bazë e fortë për sfidat dhe arritjet që ju presin. Ndërsa ju, studentë të dashur që vazhdoni studimet, ju inkurajoj të vazhdoni të mësoni, të krijoni dhe të përfitoni sa më shumë nga dijet dhe përvoja e profesorëve tanë të mrekullueshëm.
Themelimi i laboratorit të ri të fotografisë vlerësohet si një investim strategjik që do t’u mundësojë brezave të rinj qasje në teknologjinë bashkëkohore dhe kushte moderne për realizimin e projekteve të tyre vizuale. Përveç ekspozimit të punimeve artistike, ky aktivitet shërbeu edhe si një moment vlerësimi për rrugëtimin akademik të studentëve. Në shenjë mirënjohjeje për përkushtimin e treguar përgjatë studimeve, u ndanë mirënjohje për studentët më të dalluar.






