Universiteti i Tetovës, në partneritet me Universitetin e Novi Pazarit dhe Universitetin e Tuzlës, më 28 dhe 29 tetor 2026, bashkorganizoi Konferencën e Parë Shkencore Ndërkombëtare me temë “AI: Where Am I? – Navigating Human Identity, Culture, and Competence in the Age of Algorithms”, e cila u zhvillua në Universitetin e Novi Pazarit, me iniciativën e Departamentit të Arteve dhe Shkencave Filologjike.

Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës u përfaqësua në këtë veprimtari të rëndësishme akademike nga një delegacion i përbërë nga Prof. Dr. Metin Izeti, i cili mbajti ligjëratën kryesore (Keynote Speaker), Prof. Dr. Musa Musai, i cili në cilësinë e përfaqësuesit të Fakultetit Filozofik mbajti fjalën përshëndetëse në ceremoninë solemne të hapjes së konferencës, Prof. Dr. Adnan Ismaili dhe Prodekania për Arsim, Prof. Dr. Fitore Bajrami Abdi.

Përveç përfaqësimit institucional, anëtarët e stafit akademik të Fakultetit Filozofik kontribuuan edhe me prezantimin e punimeve të tyre shkencore, duke qenë pjesë aktive e sesioneve tematike dhe diskutimeve akademike. Në fokus të këtyre diskutimeve ishte ndikimi i inteligjencës artificiale në identitetin njerëzor, kulturën, arsimin dhe zhvillimin e kompetencave në epokën e transformimit digjital dhe të algoritmeve.
Pjesëmarrja e Fakultetit Filozofik në organizimin dhe realizimin e kësaj konference ndërkombëtare përfaqëson një dëshmi të angazhimit të tij të vazhdueshëm në jetën akademike dhe shkencore ndërkombëtare.