Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës organizoi mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së Prof. Dr. Halim Purellkut (05.11.1952 – 02.03.2026). Prof. Dr. Halim Purellku u kujtua për kontributin e tij të vyer në studimin dhe ndriçimin e historisë shqiptare, si dhe për përkushtimin e palodhur në mbrojtje të vlerave identitare.
Dekani i Fakultetit Filozofik Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti në fjalimin e tij tha se Prof. Dr. Halim Purellku ishte shembull i ndershmërisë intelektuale, i përkushtimit ndaj përparimit të arsimit e shkencës në tërë hapësirat shqiptare i cili për pesë dekada veproi pa ndërprerë deri në frymën e fundit.
“Puna e tij si ligjërues në shkollat e mesme dhe në universitet, do të mbeten të ngulitura në mendjen dhe zemrën e shumë gjeneratave të nxënësve, studentëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Me punën e tij të palodhur në Universitetin e Tetovës dhe me studimet e tij serioze shkencore, Prof. Dr. Halim Purellku la gjurmë të thella në historiografinë shqiptare. Kontributi i tij i vyer në studimin dhe ndriçimin e historisë sonë, si dhe përkushtimi i tij i vazhdueshëm në mbrojtje të vlerave identitare, përbëjnë trashëgimi të çmuar për shkencën dhe kulturën tonë. Vepra dhe angazhimi i tij intelektual mbeten udhërrëfyes për të gjithë ne, duke na treguar se si, me përgjegjësi dhe përkushtim, duhet t’i shërbejmë shkencës dhe në veçanti historiografisë. Lavdi jetës, veprës dhe kujtimit të tij!”– tha dekani i Fakultetit Filozofik Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Referatin qëndror për jetën dhe veprimtarinë e profesorit të ndjerë Prof. Dr. Halim Purellku, e paraqiti, Prof. Dr. Zeqirja Rexhepi: “Historiani Halim Purellku, për mua, nuk ishte vetëm një koleg, me të cilin e ndanim zyrën e punës në universitet, por edhe profesionist i dalluar e njeri miqësor, me të cilin shpesh flisnim për tema e shqetësime të përditshme nga problematikat tona kombëtare. Ai kishte magjistruar në Universitetin e Prishtinës, ndërkaq në vitin 1999 kishte doktoruar në Universitetin e Tiranës, me temë: “Rrethanat politiko – ushtarake në trevat lindore shqiptare (1918-1921)”. Diagonalja e studimeve të tij, në dy kryeqendra shqiptare, si Prishtina dhe Tirana, flasin qartë për profilin e intelektualit të formuar kombëtarisht, i cili në mënyrë të palodhshme këto dije i përcolli ndër vite, midis studentëve në Universitetin e Tetovës. Në vitet 1992 – 1994, profesor Purellku ishte kryetar i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni. Në lëmin shkencor ka botuar disa vepra studimore – shkencore, me përmbajtje historike dhe mbi 50 punime studimore, nëpër revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Vepra e tij shkencore mbetet një trashëgimi e çmuar për brezat që vijnë.”
Në emër të familjes foli e bija e të ndjerit, Albana Purellku. Ajo tha se babai i saj ishte një bashkëshort mbështetës, një gjysh shumë i dashur për nipat dhe mbesat dhe një shtyllë e fortë e familjes. Më tej ajo shtoi se ai ishte i thjeshtë dhe modest, një njeri që nuk e mati pasurinë me para, por me vepra dhe dashamirësi. “Na mësoi vlerat më të rëndësishme të jetës – ndershmërinë, punën, përkushtimin dhe respektin për të tjerët. Edhe në momentet më të vështira, ai e vendoste idealin mbi gjithçka. Humbja e tij ka lënë një boshllëk të madh në jetën tonë – një mungesë që dita-ditës vetëm sa thellohet. Sot, ndërsa e kujtojmë, ndiejmë jo vetëm dhimbje, por edhe krenari për atë që ishte dhe për gjithçka që la pas. Trashëgimia e tij jeton – në veprat e tij, në studentët që ka edukuar, në kolegët që e kanë njohur dhe në vlerat që na ka lënë neve si familje. Dhe mbi të gjitha, jeton në frymën e atdhedashurisë që ai mbolli tek të gjithë ata që patën fatin ta njohin. Babai për ne nuk ishte vetëm figura që shihnit ju – profesori, studiuesi, njeriu i dijes. Ai ishte zëri që na udhëzonte, dora që na mbante dhe shembulli që na mësonte si të jetojmë me nder dhe dinjitet. Dhe sot… në çdo hap që hedhim, në çdo vendim që marrim, ai është me ne.” tha e bija e të ndjerit, Albana Purellku.
Trashëgimia e tij e pasur mbetet vlerë e çmuar për shkencën dhe kulturën tonë. Me punën e tij shumëvjeçare në Universitetin e Tetovës dhe me studimet e thelluara në fushën e historiografisë, Prof. Dr. Halim Purellku la gjurmë të pashlyeshme, duke u bërë pikë referimi për brezat e ardhshëm të studiuesve dhe studentëve.







