Universiteti i Tetovës, përkatësisht Fakulteti Pedagogjik, nënshkroi Memorandum për bashkëpunim strategjik me “Fshatin e fëmijëve” SOS (Maqedoni e Veriut), duke vendosur themelet e një partneriteti afatgjatë në lëmin e arsimit dhe zhvillimit social.
Memorandumi u nënshkrua nga drejtuesit e dy institucioneve, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi dhe Juliana Nakova – Gapo. Memorandumi ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit institucional, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe mbështetjen e të rinjve përmes iniciativave të përbashkëta arsimore dhe sociale.
Ky bashkëpunim synon realizimin e projekteve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, promovimin e vlerave qytetare e humanitare, si dhe avancimin e kapaciteteve akademike të Fakultetit Pedagogjik.
Në kuadër të këtij memorandumi, bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve do të përqendrohet në zhvillimin e aktiviteteve arsimore dhe profesionale, duke përfshirë organizimin e praktikës studentore dhe mësimit në terren, angazhimin e studentëve në iniciativa vullnetare dhe projekte komunitare, si dhe realizimin e trajnimeve, seminareve dhe konferencave. Njëkohësisht, palët do të punojnë në shkëmbimin e ekspertizës dhe zhvillimin e hulumtimeve të përbashkëta në fusha me rëndësi shoqërore, siç janë politikat sociale, të drejtat e fëmijëve dhe zhvillimi i të rinjve.
Gjithashtu, bashkëpunimi do të përfshijë edhe angazhimin e studentëve në iniciativa për rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe mobilizimin e komunitetit, si dhe krijimin e mundësive për zhvillim profesional dhe punësim.
Ky partneritet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt lidhjes së arsimit me praktikën dhe forcimit të rolit të universitetit në zhvillimin e shoqërisë, duke kontribuuar në përgatitjen e kuadrove të reja me kompetenca bashkëkohore dhe ndjeshmëri sociale.




