//Fakulteti Pedagogjik i UT-së e thellon bashkëpunimin me shoqatën zvicerane Arsimi – Bildung

Fakulteti Pedagogjik i UT-së e thellon bashkëpunimin me shoqatën zvicerane Arsimi – Bildung

2019-09-24T11:34:51+00:00 Shtator 24, 2019|
Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës e vazhdon bashkëpunimin e suksesshëm me shoqatën Arsimi – Bildung. Në kuadër të këtij bashkëpunimi frytdhënës, më 19. 9. 2019, në Rektoratin e Universitetit të Tetovës qëndruan për vizitë pune anëtarët e kësaj shoqate, të udhëhequr nga kryetari i saj, Dr. Christian Zindel.
Me këtë rast, ata zhvilluan një takim miqësor me prorektorin për arsim të UT-së, Prof. Dr. Reshat Qahilin, dekanin e Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Fatbi Osmanin, prodekanët dhe stafin udhëheqës të këtij fakulteti.
Palët, fillimisht diskutuan për bashkëpunimin dyvjeçar mes shoqatës Arsimi – Bildung dhe Fakultetit Pedagogjik, e në veçanti me programin studimor të Edukimit Special dhe Rehabilitimit, rrjedhat dhe për aktivitetet e realizuara nga mbështetja e shoqatës, siç ka qenë java studimore, mjetet didaktike të nevojshme për pjesën praktike të studentëve të programit studimor të Edukimit Special dhe Rehabilitimit, si dhe literatura e nevojshme për një program të ri siç është Edukimi Special dhe Rehabilitimi, të gjitha këto të siguruara nga kjo shoqatë.
Në këtë pikë, kryetari i shoqatës, Dr. Christian Zindel, theksoi se misioni i tyre ka filluar më herët dhe Universiteti i Tetovës ka qenë një prej institucioneve të para të cilat kanë vendosur ta përkrahin, sidomos me ndihmën e njërit prej anëtarëve të shoqatës, i cili është me prejardhje nga Tetova, Prof. Dr. Mahir Mustafa, dhe se qëllimi i tyre është të vazhdojë ky bashkëpunim edhe me institucione universitare të shtetit të Zvicrës, gjegjësisht që studentët tanë të kenë mundësi të marrin përvoja praktike nga institucionet e ndryshme.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Fatbi Osmani, theksoi rëndësinë e përkrahjes morale dhe intelektuale nga ana e profesorit Mahir Mustafa, në javën e veçantë, ku nënvizoi përfitimet nga ky bashkëpunim dhe shprehu gatishmërinë e stafit të Fakultetit Pedagogjik për një bashkëpunim ndërshtetëror me institucione zvicerane të cilat do të kishin mundësuar pjesë praktike të studentëve tanë.
Ndërsa, prodekani për arsim, Prof. Dr. Buniamin Memedi i falënderoi për përkrahjen financiare, për mjetet didaktike, siç janë makinat e Brajlit, audiometrin, mjetet senzointegrale dhe literaturën profesionale, të siguruara për studentët e Edukimit Special dhe Rehabilitimit.
Anëtarët e shoqatës më pas i vizituan hapësirat ku mbahen ligjëratat e studentëve të Fakultetit Pedagogjik, si dhe kabinetet ku janë vendosur materialet didaktike për pjesën praktike të mësimeve të programit studimor të Edukimit Special dhe Rehabilitimit.
Zyra për Informim