Në 30-vjetorin e themelimit të Universitetit të Tetovës, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli, në kuadër të agjendës së takimeve me personalitete dhe veprimtarë që kanë kontribuar për themelimin dhe zhvillimin e UT-së, më 15 maj 2024, e ka vizituar familjen e Kryetarit të parë të Senatit të Universitetit tonë, profesor Milaim Fejziut.
Në këtë takim u theksua roli i intelektualëve tanë në ngritjen e këtij institucioni të arsimit lartë në gjuhën shqipe, me theks të veçantë kontributi i profesor Milaim Fejziut dhe i shumë intelektualëve të tjerë shqiptarë, të cilët ideal e kishin përparimin e kombit, avancimin e proceseve të përgjithshme në mbarë trevat shqiptare.
Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli familjes së profesor Milaim Fejziut ia dorëzoi logon e 30-vjetorit të UT-së, sikundër e veçoi rolin e Kryetarit të parë të Senatit për të cilin tha se ka qenë jetik në themelimin dhe funksionimin e Universitetit të Tetovës dhe bashkë me Rektorin Prof. Dr. Fadil Sulejmani udhëhoqën dhe koordinuan aktiviteteve të panumërta në shërbim të kauzës sonë, për arsimin e lartë në gjuhën shqipe dhe për realizimin e aspiratave të shqiptarëve në këto troje.