Sot në Tetovë u përkujtua veprimtaria atdhetare e ikonës tetovare dhe më gjerë, veprimtarit të palodhur të çështjes kombëtare, Rafi Halilit. Me këtë rast, në shtëpinë e tij u përurua edhe pllaka përkujtimore kushtuar rezistencës, sakrificës dhe përkushtimit të drejtuesit të organizatës “Kushtrimi i Lirisë”, Rafi Halilit. Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të njohura, në mesin e të cilëve ish të burgosur politikë, bashkëveprimtarë të Rafi Halilit, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, kryetari i Senatit të UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, rektori i UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti, Sekretari i përgjithshëm, Adem Beadini, si dhe shumë miq e familjarë të tij. Për jetën dhe veprimtarinë e Rafi Halili, krahas shumë veprimtarëve me fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i Senatit i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. “Të flasësh në këtë auditor të hapur për Rafi Halilin, këtë kolos të madh të shqiptarisë, është kohë shumë e shkurtë. Ne si Universitet, organizuam konferencë shkencore kushtuar organizatës “Kushtrimi i Lirisë” dhe në emër të Fakultetit Filozofik nxorëm revistën shkencore kushtuar veprimtarisë, mundit dhe vizionit për zhvillimin e proceseve politike të shqiptarëve në këto treva, kushtuar Rafi Halilit. E nderuara familje e Rafi Halilit, të jeni krenarë, sepse për të gjithë ne është frymëzues, është inspirim, është motivues për të ndërtuar të ardhmen tonë. Rafi Halili do të ngelet ikonë e një atdhetari të përkushtuar, i një atdhetari të pamposhtur dhe të pa blerë, sepse trevat shqiptare kanë parë shumë sosh. Rafi Halili ishte i veçantë, bashkë me shokët, me Rexhep Malën dhe me shokët e tjerë, me të gjithë që kanë vepruar në trevat tona, nga Struga, në Podujevë e në Mitrovicë, na kanë udhëzuar neve dhe na kanë lënë këtë që kemi, sepse ne nuk do të ishim kështu, do të ishte më ndryshe situata. Frymëzimi dhe motivi i tyre na kanë shtyrë që të vijmë deri në këtë shkallë të zhvillimit dhe të mbarëvajtjes të shkencës, kulturës, shëndetësisë dhe kështu me radhë. Edhe njëherë, në emër të Senatit të Universitetit, në emër të Universitetit, i shpreh mirënjohje familjes së tij, lavdi veprës së të gjithë dëshmorëve të kombit, lavdi veprës së vet Rafi Halilit. Qoftë i paharruar kujtimi për këtë kolos të shqiptarisë”- deklaroi Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Vlen të theksohet se, Universiteti i Tetovës vitin e kaluar, 2022, përmes një manifestimi solemn, me rastin e festave të nëntorit bëri shpalosjen e emërtimeve të amfiteatrove, me emrat emblematikë, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare, në mesin e tyre u shpalos edhe emërtimi i njërit prej amfiteatrove kryesorë të rektoratit, me emrin e Rafi Halilit, veprimtarit e patriotit të çështjes sonë kombëtare. Jeta dhe veprimtaria e tij do të kujtohen përherë dhe do të shërbejnë si model frymëzimi për brezat, se si duhet të punojmë e sakrifikojmë për kauzën tonë.
Zyra për informim