Më 6 korrik 2024 në Objektin për Shërbime Fetare dhe Sociale të Myftinisë së Tetovës u bë promovimi i librave, monografive dhe broshurave, të botuara nga kjo Myftini. Në këtë promovim morën pjesë personalitete nga jeta fetare, akademike, kulturore e shoqërore në mesin e të cilëve edhe Kryetari i Senatit të UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Dr. Salajdin Salihi.
Një nga botimet që u promovua nga Myftinia e Tetovës ishte edhe monografia e titulluar “Bashkëpunimi i Myftinisë së Tetovës me Universitetin e Tetovës”. Me këtë rast Myftiu i Tetovës Prof. Dr. Qani Nesimi në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, falënderoi për pjesëmarrjen në këtë promovim dhe në pika të shkurtra prezantoi aktivitetet e realizuara të Myftinisë së Tetovës. Ai po ashtu falënderoi Kryetarin e Senatit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti për bashkëpunimin e treguar në organizimin e manifestimeve të përbashkëta të këtyre dy institucioneve shumë të rëndësishme.
Monografia “Bashkëpunimi i Myftinisë së Tetovës me Universitetin e Tetovës” përmban aktivitete që Myftinia e Tetovës i ka filluar nga viti 2015 deri në vitin 2024, e që i ka bërë në bashkëpunim me Universitetin e Tetovës dhe janë realizuar bashkërisht, duke ua mundësuar besimtarëve të kenë mundësinë që t’i shijojnë mirësitë e fesë dhe datave të rëndësishme fetare dhe kombëtare në përgjithësi dhe të Ramazanit në veçanti. Me këtë rast, u tha se ky bashkëpunim ka marrë karakter zyrtar në kohën e zgjedhjes si Myfti i Tetovës, të Prof. Dr. Qani ef. Nesimi më 16.02.2015. Këtu duhet theksuar kontributin shumë të rëndësishëm të Universitetit të Tetovës, konkretisht të stafit dhe udhëheqësisë së tij, sidomos kontributin e Rektorit vizionar dhe idealist të UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili pa rezervë e mbështeti këtë bashkëpunim me qëllim që kësaj popullate t’i jepet edhe një mendim pozitiv në ngritjen e tyre kombëtare dhe fetare.
Në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për bashkëpunimin e ndërsjellë në mes dy institucioneve Myftiu i Tetovës Prof. Dr. Qani Nesimi, Kryetarit të Senatit të UT-së i dhuroi një plaketë, pikturë dhe monografinë “Bashkëpunimi i Myftinisë së Tetovës me Universitetin e Tetovës (2015-2023)”.
Ndërsa Kryetari i Senatit në fjalën e tij, falënderoi Myftiun Prof. Dr. Qani Nesimi për bashkëpunimin e treguar deri më tani duke shtuar se kjo traditë duhet ruajtur dhe vazhduar edhe në të ardhmen me qëllim afirmimin e vlerave tona të përbashkëta kulturore, arsimore dhe religjioze