//KV “Universiteti i Tetovës” fitues i vendit të dytë të Kupës së volejbollit të Maqedonisë së Veriut

KV “Universiteti i Tetovës” fitues i vendit të dytë të Kupës së volejbollit të Maqedonisë së Veriut

2019-05-13T15:38:26+00:00 Maj 10, 2019|
Klubi i volejbollit për meshkuj “Universiteti i Tetovës”, në kuadër të Kupës së volejbollit të Maqedonisë së Veriut është shpall fitues i vendit të dytë, pasi që në finale u mund nga KV “Strumica” me rezultat të përgjithshëm 3 – 0, në sete.

Pas suksesit të treguar në këto gara, volejbollistët e KV “Universiteti i Tetovës”, u pritën në një takim nga Rektori i UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai i përgëzoi lojtarët për rezultatet e shënuara si në kampionat ashtu edhe Kupën e volejbollit të Maqedonisë së Veriut.

Volejbollistët me këtë rast e falënderuan rektorin për mbështetjen e vazhdueshme që i jep klubit duke shpresuar se viteve në vijim shpresojnë të ngjiten në majat e Volejbollit vendor për meshkuj.

Kapiteni i klubit, Hamza Veseli, në prani edhe të bashkëlojtarëve të tij, Kupën fituese të Vendit II ia dhuroi Rektorit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, me qëllim që ajo të mbetet në vitrinat e Universitetit të Tetovës.

Përveç garave në Kupën e volejbollit të Maqedonisë, KV “Universiteti i Tetovës” do të zhvillojë edhe ndeshjet e mbetura në kampionat. Siç u shprehën volejbollistët e UT-së, shpresojnë të japin maksimumin për ta arritur vendin e parë dhe të shpallen kampion i këtij kompeticioni.

Sipas rregullave të Federatës së Volejbollit të Maqedonisë së Veriut, gjatë këtij muaji do të zhvillohen ndeshjet e gjysmëfinales mes 4 skuadrave më të mirë në renditjen tabelore të Ligës së parë. Në gjysmëfinale, KV “Universiteti i Tetovës” për kundërshtar ka KV “Shutova”, ndërsa dyshja tjetër e gjysmëfinales përbëhet nga KV “Strumica” – KV “Vardari”.

Fituesit e dalë nga këto dy takime do të përballen në finalen e madhe ku edhe do të bëhet i ditur emri i kampionit të ri të Ligës së parë të Volejbollit vendor.

Zyra për Informim