Studentët e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës së bashku me prodekanen për shkencë Prof. Dr. Hana Dardhishta, Prof. Dr. Marina Danilovska dhe Prof. Dr. Marina Spasovska (22 prill 2026), morën pjesë në evenimentin e organizuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut me temë “Lexo mes rreshtash” me rastin e 23 Prillit – Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit. Dita Botërore e Librit synon të afirmojë kulturën e leximit, veçanërisht tek të rinjtë, dhe të nxjerrë në pah librin si medium të dijes, emocioneve, imagjinatës dhe mirëkuptimit.

Fjalimin përshëndetës e mbajti Kryetari i Kuvendit, z. Afrim Gashi, i cili theksoi se libri nuk është vetëm produkt, por rezultat i dialogut të gjatë midis autorit dhe lexuesit. Është akt besimi se fjala e shkruar do të gjejë adresën e saj. Libri komunikon me ne edhe kur nuk e mbajmë në duar. Mund të qëndrojë i qetë në raft, por është i pranishëm te ne si kujtim, si mundësi, si dialog që pret të vazhdojë. Në këtë drejtim, kryetari Gashi u dërgoi gjithashtu një mesazh studentëve se procesi i të nxënit nuk mbaron me diplomimin dhe se për të mos mbetur prapa, ata duhet të vazhdojnë të mësojnë dhe të lexojnë.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe shkrimtari Ivan Shopov i cili përmes fjalimit të tij, përcolli një mesazh të rëndësishëm: “Librat nuk janë për bujë e rrëmujë. Ata janë si ai personazhi që nuk flet shumë, por kur thotë diçka – lë gjurmë. Nuk të bind dhe as nuk të shpjegon shumë. Thjesht të jep diçka dhe të lë vetëm me të. Disa libra nuk i kujton nga rrëfimi, por nga ndjesia, nga përshtypja që kanë lënë…” – u shpreh ai. Më tej edhe deputetët Arbana Pasholli, Velika Stojkova Serafimovska, Valbona Adili Emini, Pavle Arsoski, Lidija Petkoska dhe Lubço Nikolovski folën për rëndësinë e librit dhe ndanë me studentët përvojat e tyre rreth veprave letrare që kanë lënë ndikim të veçantë në zhvillimin e tyre personal.

Ky eveniment “Lexo mes rreshtash” i bëri bashkë deputetët, shkrimtarët, autorët, akademikët, studentët në hapësirën parlamentare, për të nxjerrë në pah vlerën e fjalës së shkruar si pjesë e traditës më të gjerë demokratike dhe kulturore.