Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës organizoi trajnim me maturantët për përpilimin/plotësimin e akteve të ndryshme juridike. Qëllimi i këtij trajnimi ishte që nxënësit e shkollave të mesme, gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, shkollës së mesme ekonomike dhe medicinale, të mësojnë se si të përpilojnë parashtresa të ndryshme.
Prodekania për arsim e Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Drita Mamuti Fazlija tha se bashkëpunimi i krijuar mes shkollave të mesme dhe Universitetit të Tetovës është një mundësi e shkëlqyer që maturantët të informohen më hollësisht më gamën e gjerë të programeve studimore që ofron universiteti ynë. Ndërsa koordinatori i këtij trajnimi Prof. Dr. Afet Mamuti e cilësoi këtë aktivitet shumë të rëndësishëm dhe falënderoi edhe shkollat e mesme për këtë bashkëpunim të frytshëm në të mirë të maturantëve. Ky trajnim i përgatitur nga Prof. Dr. Shpresa Alimi ishte i ndarë në dy pjesë edhe atë në pjesën teorike ku u njoftuan me aktet juridike dhe në atë praktike ku ato kishin mundësi për t’u aftësuar për përpilimin e parashtresave të ndryshme.