Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës, me rastin e Ditës Botërore të Ushqimit, organizoi tryezë të rrumbullakët, në të cilën ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, si dhe afaristë të fushës diskutuan lidhur me cilësinë e ushqimit dhe mungesën e tij në suaza vendore, rajonale dhe botërore.
Në hapjen e punimeve të kësaj tryeze, në emër të Universitetit të Tetovës, pjesëmarrësve me fjalë rasti iu drejtua udhëheqësi i Zyrës për Inovacion dhe Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti. Ai, duke iu referuar kësaj ngjarjeje tha se, Universiteti ynë për të satën herë e shënon Ditën Botërore të Ushqimit, por për dallim nga vitet e kaluara, ku temat ishin të larmishme, ku me theks të veçantë diskutohej më shumë për sigurinë ushqimore, këtë vit fatkeqësisht do të duhet të flasim edhe për mungesën e ushqimit. “Fakti që kjo problematikë diskutohet në ambientet e Universitetit të Tetovës, dëshmon se, ne si institucion i posedojmë kapacitetet kadrovike për t’u përfshirë edhe në këtë sfidë të re dhe të gjithë se bashku të shpalosim idetë, mendimet, pse jo të ofrojmë edhe ekspertizën tonë shkencore. Këtë e kemi dëshmuar edhe në momente të tjera, siç ishte pandemia globale Covid -19, së cilës iu qasëm me seriozitetin maksimal dhe besoj e kemi bërë detyrën tonë, duke i mobilizuar resurset tona profesionale të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë”, tha Prof. Dr. Agon Memeti.
Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Xhezahir Idrizi tha se me shënimin e 16 Tetorit ne sot e përkujtojmë Ditën Botërore të Ushqimit, e cila ka filluar të manifestohet me themelimin e Organizatës Botërore të Ushqimit, e quajtur FAO, në vitin 1945 dhe nga viti 1981 përkujtohet çdo vit si ditë e cila ka të bëjë me problemet e të ushqyerit në botë. “Çdo vit ka pasur moto të veçantë, kurse motoja e këtij viti është: “Askush të mos lihet pas”. Nëse i shohim të dhënat statistikore, kohët e fundit, ose 3 vitet e fundit, ky numër që ka probleme serioze me të ushqyerit është bërë problem serioz, sepse në qoftë se në vitin 2019 kishim një të shtatën e popullsisë botërore që kishte problem me të ushqyerit, sot ky numër ka arritur diku te 3 miliardë, si rezultat i pandemisë, po ashtu, si rezultat edhe i thatësirës, kurse kohën e fundit problem shumë serioz paraqet lufta ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë. Ne mendojmë se ky panel do të sjellë së paku konkluza ose do e lehtësojë uljen e krizës së të ushqyerit në vendin tonë, edhe pse edhe te ne ky është një problem shumë serioz. E them një problem serioz, se diku afër 500 mijë njerëz kanë problem serioz me të ushqyerit brenda një dite. Dua ta përfundoj fjalimin tim me një thënie Kuranore, e cila thotë: “të shpëtosh një jetë njeriu është njësoj sikur të shpëtosh gjithë njerëzimin”, tha Prof. Dr. Xhezahir Idrizi.
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Rexhail Ismaili në fjalën e tij u fokusua te situata e ushqimit në vend, perspektivat dhe mbështetja te prodhuesit. Sipas tij, viteve të fundit është shqetësuese edhe mungesa e kuadrit, dhe si masë shtesë rreth këtij fenomeni për studentët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit dhe ato të Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë, nga viti akademik 2022-2023 kjo ministri ofron bursa për çdo student, që ka notën mesatare mbi 8.5, të cilat do ta kenë vlerën e rrogës minimale, ashtu siç marrin studentët e Fakulteteve të Shkencave Matematike- Natyrore.
Më pas, në këtë tryezë kushtuar Ditës Botërore të Ushqimit, për problematikat aktuale të sektorit të ushqimit diskutuan dhe dhanë vlerësimet e tyre edhe nutricionisti Vlatko Tanevski, profesori universitar, Prof. Dr. Elmi Jusufi, drejtori i Kompanisë “Dauti Komerc”, Xhemail Dauti, drejtori i Bankës për Zhvillim, Qenan Idrizi, drejtori i Parkut Nacional “Mali Sharr”, Ibrahim Dehari, si dhe Prodekani për shkencë i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Erhan Sulejmani.