Në kuadër të programit për mobilitet Fulbright Specialist të SHBA-ve, në Universitetin e Tetovës respektivisht në Fakultetin e Arteve do të ligjërojë artistja Nicole Stager. Nga data 6 – 17 nëntor 2023, studentët dhe profesorët e programit studimor të Artit Figurativ do të kenë mundësinë që të përfitojnë njohuri dhe eksperienca të ndryshme prej saj.
Fillimisht ajo është pritur në një takim nga Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti, Dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senad Abduli, si dhe Prodekania për Shkencë e këtij fakulteti, Prof. Ord. Nora Halimi. Në këtë takim u diskutua për zhvillimet aktuale në Universitetin tonë, me theks të veçantë në Fakultetin e Arteve, si dhe për rëndësinë që Universiteti ynë u kushton programeve të ndryshme ndërkombëtare, që kanë për qëllim shkëmbimin e studentëve dhe të stafit akademik.
Dekani i këtij fakulteti, Prof. Ord. Senat Abduli e theksoi rëndësinë e angazhimit dhe shkëmbimit të përvojave të ndryshme akademike dhe profesionale përmes programeve të këtilla si programi Fulbright Specialist.
Ndërkaq Prodekania, Prof. Ord. Nora Halimi u shpreh se Nicole Stager është artiste multidimensionale, me përvojë në më shumë mediume artistike, dhe për këtë qëllim gjatë qëndrimit të saj në Fakultetin e Arteve ajo do të realizojë projekt dyjavor ku do të përfshihen të gjithë studentët e të gjitha drejtimeve të programit studimor të Artit Figurativ.
Fulbright Specialist si program i Departamentit të Shteteve te Bashkuara të Amerikës, është një mundësi unike për akademikët dhe profesionistet e njohur amerikanë që të angazhohen në shkëmbime dy deri gjashtëmujore, të bazuara në projekte në institucionet nikoqire në të gjithë globin.
Studentët dhe profesorët e Universitetit të Tetovës kanë përfituar disa bursa studimi nga këto programe të cilat për çdo vit janë prezantuar në Universitetin tonë nga përgjegjësi i tyre në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup, z. Gazmend Ilazi.
Zyra për informim