Në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës, sot u promovua libri trivëllimësh, Partia Demokratike Popullore 1990-1997 nga autori Iljaz Halimi. Në këtë promovim libri ishin të pranishëm një numër i madh aktivistësh të Partisë Demokratike Popullore, profesorë universitarë, veprimtarë të shquar, njohës të rrethanave politike, familjarë dhe miq të autorit si dhe studentë.
Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Safet Emruli theksoi se promovimi i librit në 3 vëllime “Partia Demokratike Popullore nga 1990-1997”, i profesorit Iljaz Halimi, pikërisht në hapësirat e UT-së, për të si dekan është nder dhe privilegj. Sipas tij, autori i monografisë, me të drejtë ka vlerësuar se ka nevojë për të nxjerrë në dritë dokumentet, aktet, deklaratat, takimet dhe gjithë veprimtarinë e PDP-së dhe të krijojë mundësi për të gjithë ata që merren me studimin e rrjedhave politike e shoqërore në Maqedoninë e Veriut, si dhe studiuesit e rinj të mësojnë direkt nga dokumentet origjinale mbi lëvizjet dhe zhvillimet politike shqiptare të fillimviteve të pluralizimit politik dhe demokracisë. “Partia Demokratike Popullore, e cila ndër ne njihej si parti që ofroi vizion dhe platformë për të gjithë intelektualët dhe njerëzit e burgosur e anatemuar zyrave sllavo-komuniste, duke paraqitur një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e fillimeve të periudhës pluraliste dhe zhvillimeve të shoqërisë shqiptare në veçanti. Nëpërmjet të narracionit të strukturuar mirë në burime të sakta, autori vë në pah sfidat, përpjekjet dhe të arriturat e një subjekti politik që përfaqësoi interesat kombëtare të shqiptarëve. Këto vepra do të jenë në shërbim të historiografisë për ndryshimet e mëdha të kalimit nga sistem politik në tjetër sistem politik pluralist. Në këto tri vëllime kemi të bëjmë me të gjitha sfidat e shqiptarëve në periudhën 1990 deri në vitin 1997. Tri vëllimet paraqesin një burim literature për të gjithë studiuesit, analistët dhe politikanët që dëshirojnë t’i kuptojnë më thellë proceset që formësuan realitetin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Përgëzoj autorin për mundin dhe kontributin që ka dhënë dhe presim në të ardhmen e afërt të na sjellë vepra të këtilla në interes të opinionit e me theks të veçantë historiografisë.” – u shpreh dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Safet Emruli.
Recensenti i veprës në fjalë, Prof. Dr. Xhemaludin Idrizi tha se ky libër paraqet një dokument historik që përfshin tërë punën e veprimtarisë së bujshme shtatëvjeçare në skenën politike në Maqedoninë e atëhershme, e cila doli nga gjiri i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. “Një fjalë e urtë popullore thotë se edhe thërmiat e arit po të jenë të shpërndara nuk kanë vlerë, pra mbledhja dhe sistemimi i të gjitha materialeve të kësaj partie nga kryetari Iljaz Halimi i jep një vlerë dhe peshë të veçantë historike këtij subjekti politik të shqiptarëve në Maqedoni. Autori i monografisë, Iljaz Halimi, me të drejtë ka vlerësuar se ka nevojë për të nxjerrë në dritë historinë e PDP-së, aq më tepër që të gjithë ata që merren me studimin e rrjedhave politike, shoqërore e të tjera në Maqedoni e më gjerë dhe gjeneratat e ardhshme të mësojnë mbi lëvizjet dhe zhvillimin e subjekteve politike shqiptare në një atmosferë t’i themi demokratike në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar. Me këtë monografi pa dyshim rifreskohet dhe ndriçohet veprimtaria politike kombëtare e Partisë Demokratike Popullore, që fatkeqësisht, për shkaqe e rrethana jo të përshtatshme të kohës, zgjati vetëm shtatë vjet.”- tha mes tjerash recensenti i veprës në fjalë, Prof. Dr. Xhemaludin Idrizi.
Për veprimtarinë e partisë, rrethanat, mbledhjet e mbajtura, peripecitë në të cilat kanë kaluar, vendimet që janë marrë e shumëçka, folën edhe panelistët e tjerë, Bedredin Ibrahimi dhe Zeqir Kadriu.
Vetë autori i librit, Iljaz Halimi theksoi se në këta libra lexuesit kanë mundësi të njihen me monografinë, apo më mirë thënë dokumentimin e veprimtarisë së Partisë Demokratike Popullore gjatë shtatë viteve të funksionimit të saj. “Unë kam qenë i privilegjuar që kam pasur fatin të disponoj nga arkivi i partisë, i cili pas Bashkimit të PDP-së me PPDSH-në dhe formimin e PDSH-së në vitin 1997 me vendim të kryesisë u transferua në një kënd të bibliotekës në shtëpinë time, e cila ndodhet shumë afër selisë së PDP-së. Me kalimin e viteve Partia Demokratike Popullore sikur u la në harresë, ajo thuajse se nuk përmendej nga askush se ka ekzistuar ndonjëherë, edhe pse në realitet bëhet fjalë për një parti e cila gjatë funksionimit të saj, la gjurmë të pashlyeshme në historinë më të re të pluralizmit politik në RMV. Ky qe shkaku që më motivoi aktivitetin e PDP-së që me kohë e kishim arkivuar ta botoj si libër monografik apo dokumentar, në tri pjesë, që t’u ofrohet lexuesve për të kuptuar për së afërmi se si ka funksionuar PDP-ja dhe cilat kanë qenë qëndrimet apo pikëpamjet e saj për avancimin e pozitës së shqiptarëve si dhe për zgjidhjen e çfarëdo qoftë problemi tjetër kombëtar, shoqëror në Republikën e Maqedonisë së Veriut e më gjerë. Ajo që vlen të veçohet në këta libra, për të cilën jam krenar është se Partia Demokratike Popullore gjatë veprimtarisë së saj politike edhe pse pati mundësi të jetë pjesë e pushtetit qendror, pasi kishte ofertë, kjo nuk ndodhi sepse qëllimi dhe vizioni i kësaj partie nuk ishte plotësimi i apetiteve dhe privilegjeve individuale apo grupore, por realizimi i programit të saj.” – tha ndër të tjera autori i librit, Iljaz Halimi.
Në këtë botim janë përfshirë në mënyrë origjinale, pa ndërhyrje e korrigjime dhe në mënyrë kronologjike, të gjitha Kuvendet e PDP-së, Kongresi, mbledhjet e Kryesisë, themelimi dhe aktiviteti i Rinisë Demokratike Shqiptare të PDP-së, themelimi dhe mbledhjet e Pleqërisë, bashkëpunimi me partitë politike, kontaktet me delegacione të ndryshme, dokumentet politike, kumtesat, informatat, qëndrimet, komunikatat e shumta, si dhe aktivitete tjera që kanë qenë në funksion të ndërtimit të demokracisë, të organizimit të jetës pluraliste politike në RM-në e asaj periudhe dhe angazhimit tonë duke ofruar zgjidhje për çështjet me interes kombëtar shqiptar dhe shoqëror gjithsesi.