Në ambientet e Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, më 7 prill 2026, u realizua trajnimi me temë “Standardet e shkrimit të dokumenteve juridike”, i organizuar në kuadër të aktiviteteve promovuese të këtij fakulteti dhe të universitetit në përgjithësi.
Trajnimi u udhëhoq nga Prof. Dr. Drita Mamuti-Fazlia dhe Doc. Dr. Bukurije Etemi-Ademi, të cilat para pjesëmarrësve prezantuan rëndësinë e standardeve profesionale në hartimin dhe strukturimin e dokumenteve juridike, si dhe praktikat më të mira që duhet të ndiqen gjatë përpilimit të tyre.
Ky aktivitet u organizua në koordinim me shkollat e mesme, me qëllim promovimin e Fakultetit Juridik dhe të Universitetit të Tetovës para nxënësve dhe studentëve të interesuar për studime në fushën e drejtësisë. Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit patën mundësi të njihen më nga afër me mënyrat profesionale të hartimit të dokumenteve juridike, rëndësinë e terminologjisë së saktë juridike dhe strukturimin e drejtë të akteve dhe shkresave ligjore.
Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit u pajisën me certifikata për ndjekjen e trajnimit, si dëshmi për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre në këtë aktivitet edukativ.




