Një nga iniciativat më të rëndësishme arsimore për ngritjen e ndërgjegjësimit dhe aftësive për çështjet klimatike dhe zhvillimin e qëndrueshëm, në kuadër të projektit “Moduli i Trajnimit të Transformimit të Gjelbër”, i ka përfunduar me sukses dy fazat e para. Projekti realizohet në partneritet me Universitetin Onsekiz Mart të Çanakalasë dhe Agjencinë për Bashkëpunim dhe Koordinim të Turqisë (TIKA), si dhe Universitetin e Tetovës, respektivisht Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit. Qëllimi i tij ishte trajtimi i temave kyçe si ndryshimet klimatike, Marrëveshja e Gjelbër, teknologjitë e gjelbra dhe zhvillimi i qëndrueshëm, duke përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë studentët.
Koordinatori i projektit për Maqedoni Prof. Dr. Erhan Sulejmani njëherit edhe profesor në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit theksoi se deri më tani janë realizuar dy modulet e para. “Në modulin e parë është realizuar trajnimi bazë (në distancë): në këtë fazë kanë marrë pjesë një grup studentësh nga Universiteti i Tetovës, të cilët përmes një platforme online u njohën me konceptet bazë të transformimit të gjelbër. Kjo zgjati 4 javë dhe përfshinte 32 orë mësimore. Ndërsa moduli dytë ishte trajnimi i avancuar (ballë për ballë): 20 pjesëmarrësit më të mirë nga faza e parë morën pjesë në një trajnim intensiv njëjavor në ambientet e Universitetit të Tetovës. Programi thelloi njohuritë në temat më të avancuara si politikat industriale të gjelbra dhe zbatimi i teknologjive të gjelbra në praktikë” – deklaroi Prof. Dr. Erhan Sulejmani.
Menaxherja e projektit nga Republika e Turqisë Dr. Dilvin Ipek theksoi se së shpejti do të fillojë realizimi i modulit të tretë ku studentët do të kenë mundësi të realizojnë punën praktike në kompanitë më të suksesshme në Turqi. “Në kuadër të modulit të tretë do zhvillohet praktika profesionale në Çanakala, Turqi. Studentët më të suksesshëm do të të marrin pjesë në një trajnim praktik 10-ditor në disa nga kompanitë më të njohura në fushën e transformimit të gjelbër në Çanakala, si Kale Group, Dardanel dhe Doğanlar Holding. Përmes këtij programi, studentët do të përfitojnë njohuri konkrete mbi funksionimin e proceseve të gjelbra në sektorin industrial”- tha, Dr. Dilvin Ipek.
Të gjithë pjesëmarrësit në dy modulet e para u pajisën me certifikata të njohura ndërkombëtarisht, të miratuara nga institucioni turk i akreditimit TÜRKAK. Në ndarjen e certifikatave të pranishëm ishin Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i UT-së Prof. Dr. Salajdin Salihi, Prorektori për Shkencë Prof. Dr. Vullnet Ameti, dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit Prof. Dr. Xhezahir Idrizi, koordinatorja e Zyrës së Koordinimit të Programit në Shkup (Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim) TIKA znj. Fevziye Şeyma Babayiğit si dhe profesorë dhe studentë.
Ky projekt shënon një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e arsimit, teknologjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe përbën një model që pritet të zgjerohet në të ardhmen me më shumë programe dhe pjesëmarrës nga rajoni.