//Në Universitetin e Tetovës sot u shënua Dita ndërkombëtare për të drejtat e njeriut

Në Universitetin e Tetovës sot u shënua Dita ndërkombëtare për të drejtat e njeriut

2019-12-10T16:50:52+00:00 Dhjetor 10, 2019|

Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës e shënoi 71 vjetorin e Deklaratës universale për të drejtat e njeriut. Për nder të kësaj date, në UT u organizua një tribunë kushtuar lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Organizimit të tribunës së lartpërmendur i parapriu takimi i përbashkët i Rektorit të UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe prorektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Doc. Dr. Shefik Shehu me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sali Muratin, nënkryetarin e Këshillit Gjyqësor, Milazim Mustafa dhe kryetarin e Gjykatës Administrative, Burim Sejdinin.
Në hapje të tribunës, dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Qebir Avziu në fjalimin e tij i falënderoi të gjithë të pranishmit, duke theksuar se në vendet e ndryshme të botës koncepti mbi të drejtat dhe liritë e njeriut është një ëndërr që nuk realizohet. “Vetëm para disa ditëve e pashë listën që “Amnesty International” ka publikuar për vendet lidhur me të drejtat dhe liritë e njeriut dhe në shumë vende të botës ende fatkeqësisht njihet dënimi me vdekje dhe unë e pashë se si qëndron renditja e këtyre shteteve dhe në vendin e parë në botë për ekzekutime për vitin 2019 është Irani, 253 persona të ekzekutuar deri në ditën e sotme. Ngjashëm ishte edhe Arabia Saudite dhe vendet si Afganistani e Pakistani, por më shumë u habita kur e pashë listën SHBA-ve. Ata e kanë publikuar listën për ekzekutimet që do të bëhen në vitin e ardhshëm 2020, ku numri ishte 48 persona që do të ekzekutohen. Ne fatmirësisht jetojmë në shtetin ku nuk parashihet ky dënim, dhe për këtë jemi me fat”, deklaroi Prof. Dr. Qebir Avziu.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sali Murati tha se Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut është garantuesi më i mirë i lirive dhe të drejtave të njerëzve, por sipas tij, qytetarët shumë pak luftojnë për të drejtat e tyre, duke menduar se nuk u shkelen ato. “Do të flas sot këtu para Jush në gjuhën shqipe për respektin dhe nderin e madh që kam për Universitetin e Tetovës. Është kënaqësi që sot në cilësinë e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të jem këtu bashkë me ju për të diskutuar mbi liritë dhe të drejtat themelore të njeriut në një datë kaq të rëndësishme siç është kjo e sotmja. Vetë Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut i garanton të drejtat dhe liritë e njeriut, nisur nga ana historike, politike, fetare e kështu me radhë, vërehet se të drejtat e njeriut janë të kufizuara. Nëse parashtrojmë pyetjen, pse janë të kufizuara? Atëherë vërehet se njerëzit shumë pak luftojnë për të drejtat e veta, shoqëria në vendin tonë është shumë pak e informuar për të drejtat e tyre dhe gjithmonë mendojmë se nuk u shkelen të drejtat. Mua më gëzon fakti që përmes këtyre konferencave mundohemi që t’i avancojmë të drejtat e njeriut, në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut si bazë themelore e parë hynë të drejtat dhe liritë e njerëzve”, u shpreh kryetari i Gjykatës Kushtetuese të vendit tonë, Sali Murati.

Qëndrimet e tyre mbi të drejtat e njeriut i shprehën edhe nënkryetari i Këshillit Gjyqësor, Milazim Mustafa, kryetari i Gjykatës Administrative, Burim Sejdini dhe profesori i Fakulteti Juridik, Prof. Dr. Ali Musliu. Që të tre në kumtesat e tyre përcollën mesazhe tek qytetarët, që sa më shumë të kërkojnë liritë dhe të drejtat e tyre, të cilat edhe i kanë të garantuara me kushtetutë. Përveç drejtuesve në këtë tryezë, nuk munguan as pyetjet e studentëve drejtuar panelistëve. Studentët shprehën interesimin e tyre se si zgjidhen gjykatësit dhe prokurorët, me çfarë kritere dhe sa ka ndikim politika në këto përzgjedhje. Po ashtu, ato shtruan për diskutim edhe çështjen e vetingut, se sa është i nevojshëm në vendin tonë që të ketë veting për gjykatësit dhe prokurorët.

Zyra për Informim