Në Universitetin e Tetovës më 15 dhe 16 maj 2024, i zhvilloi punimet Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave Natyrore, Mjekësore dhe Teknologjive. Kjo veprimtari arsimore – shkencore i bëri bashkë një numër të konsiderueshëm studiuesish të fushave përkatëse, të cilët me punimet të tyre shkencore ndihmojnë në avancimin e njohurive, kërkimit dhe teknologjisë.
Më 15 maj 2024, në hapjen solemne të punimeve, Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli u uroi mirëseardhje të gjithë pjesëmarrësve në këtë kongres, dhe tha se kjo armatë e madhe e studiuesve, akademikëve, përmes diskutimeve, bisedave, tribunave, prezantimeve, shkëmbimit të ideve dhe përvojave të ndryshme, do të rezultojë në konkluzione mjaft të rëndësishme në sferën e shkencave natyrore mjekësore dhe të teknologjisë informatike. “Jemi shumë të bindur se ky do të jetë një kontribut tejet i veçantë, tejet i çmuar i Universitetit të Tetovës, i të gjithë juve si studiues dhe këto konkluzione natyrisht që do të mbeten një obligim frymëzimi zyrtar për ne si institucion publik i shkollimit të lartë në RMV por njëkohësisht konkluzione të cilat do t’i shërbejnë vendit, shoqërisë dhe të gjitha institucioneve, sidomos në procese mjaft të rëndësishme të cilat na presin së bashku.” – tha Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti theksoi se nëse deri sot kemi konsideruar se emëruesi i përbashkët i fushave të lartpërmendura është HULUMTIMI, sot ky narrativ po ndryshon. Sipas tij, ajo që i bën bashkë edhe mendimet më divergjente të mundshme është pa dyshim INTELIGJENCA ARTIFICIALE. “EJ-AJ (AI) i ka transformuar thellësisht studimet mbi shkencat natyrore, mjekësore dhe të teknologjive, duke ndikuar në analizën e të dhënave masive, duke e përmirësuar diagnozën dhe trajtimin e sëmundjeve, duke i modeluar marrëdhëniet komplekse në mes variablave, duke përdorur automatizimin për proceset laboratorike, duke kontribuuar në kërkimin shkencor dhe zhvillimin e teknologjive të reja, si dhe duke përdorur mësimin automatik për të krijuar modelet e personalizuara të IA-së. Diskutimi rreth këtij ndikimi do të jetë thelbësor në këtë kongres. Për të hedhur dritë mbi pikëpyetjet tona të shumta, shpesh të shoqëruara edhe me doza frike, nëse jemi duke u kompjuterizuar më shumë seç duhet, apo nëse jemi gati që t’i përgjigjemi shpejtësisë me të cilën GJENERATA Z i kërkon rezultatet me pak përpjekje, jemi vënë në kontakt me dy nga shumë shembujt pozitivë, të cilët e kanë mposhtur mitin e shumë IA PAK INOVACION” – u shpreh Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti.
Sipas tij në ndërdijen tonë institucionale, Universiteti i Tetovës gjithmonë ka tentuar që kongreset, përveç krijimit të një mjedisi intelektual që mundëson shqyrtimin, argumentimin dhe debatin e ideve të reja, të shërbejnë edhe si një arenë për të krijuar lidhje, e cila do t’i rezistojë kohës. “Kësaj radhe, kemi arritur të tubojmë më shumë se 450 punonjës shkencorë. Nga ata presim që të prezantojnë ide, koncepte e zgjidhje të reja dhe inovative për problematikat që vijnë si rezultat i kompleksitetit të epokës që e jetojmë. Hulumtimi është punë kolektive dhe në këtë kongres na janë bashkuar pa hezitim edhe 21 universitete dhe institucione tjera partnere, me rreth 296 komunikata me gjithsej 450 autorë dhe bashkautorë. Prezantimi i punimeve do të realizohet në 2 seanca plenare dhe në 18 sesione paralele.” – nënvizoi Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti.
Në vijim të fjalimit të tij ai u ndal edhe tek një segment tjetër i rëndësishëm, që është pjesëmarrja në hulumtime përtej kufijve. “Vetëm gjatë vitit 2023, përkrah universiteteve dhe institucioneve më bashkëkohore, ne kemi kontribuuar në mbi 10 projekte të financuara nga Bashkimi Evropian, prej të cilëve disa ende nën implementim, me afat maturimi deri në vitin 2027. Në faqen zyrtare të UT-së, gjeni detajet mbi çdo projekt dhe kontribut tjetër të ngjashëm. Në emër të të gjithë komunitetit universitar, dua të përcjell mirënjohjen tonë ndaj komunitetit të biznesit, posaçërisht sponsorëve të këtij kongresi. Kontributi juaj nëpërmjet ofrimit të burimeve, kohës dhe ekspertizës është një shembull i shkëlqyeshëm i bashkëpunimit midis sektorit të biznesit dhe arsimit të lartë për të avancuar dijen dhe inovacionin.” – tha mes tjerash Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti.
Në këtë hapje solemne i pranishëm ishte edhe eksperti i inteligjencës artificiale nga Finlanda, Lasse Rouhianen i cili elaboroi temën: “The Future of Teaching: How Generative Artificial Intelligence and Artificial Intelligence Agents Are Transforming Education” si dhe studiuesja nga Shqipëria, Arjeta Puca që foli mbi temën “Driving Progress Through Partnership: How Timak’s Industry – Academia Collaboration Shapes Future Technologies”.
Në këtë Kongres u realizuan gjashtë konferenca: Konferenca e 9-të Ndërkombëtare e Shkencave Sportive, Konferenca e 8-të Shkencore Ndërkombëtare e Shkencave të Zbatuara, Konferenca e 6-të Ndërkombëtare e Shkencave Matematike – Natyrore, Konferenca e 4-të Ndërkombëtare e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Konferenca e 2-të Ndërkombëtare e Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë dhe Konferenca e 7-të Ndërkombëtare e Fakultetit të Shkencave Mjekësore.
Në këtë kongres po ashtu u promovuan edhe revistat shkencore si Acta Medica Balcanica, International Journal of Food Technology and Nutrition, Journal of Applied Sciences, Journal of Natural Sciences and Mathematics of UT, Sport and Health dhe Journal of Agriculture and Sustainable Rural Development si dhe u organizuan punëtori nga njësitë akademike të sipërpërmendura.