Profesorë të Fakultetit Ekonomik, më 25 dhe 26 shtator 2023, në kuadër të një projekti hulumtues të financuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, mbi ekonominë e gjelbër, në suaza të një punëtorie të titulluar “Standardet Ekologjike nga Ekonomistë”, ligjëruan për sfidat e ekonomisë së gjelbër dhe energjitë e riciklueshme si burim alternativ të inputeve ekonomike, kundrejt inputeve ekzistuese. Temat specifike që u zhvilluan në këtë punëtori e trajtuan ekonominë e gjelbër në kontekst të sfidave që mund të prodhojë de-industrializimi i sektorit privat dhe rritja e shkallës së varshmërisë së këtij sektori nga energjitë e riciklueshme, në përputhje me kriteret ligjore në Maqedoninë e Veriut, që definojnë aktivitetet e ekonomisë së gjelbër dhe në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian, të cilët promovojnë ekonominë e gjelbër në një kontekst më global.
Temat e trajtuara brenda punëtorisë si, qëndrueshmëria e ekonomisë së gjelbër dhe eksternalitetet pozitive të saj dhe roli i financimit të gjelbër kishin në fokus identifikimin e mirëqenies ekonomike, që mund të sigurojnë agjentët ekonomikë (amvisëritë, firmat dhe sektori publik), nga aktiviteti ekonomik që bazohet në inpute të riciklueshme, si dhe identifikimin e stimujve financiarë që këta agjentë ekonomikë mund të përfitojnë nga transformimi i burimeve ekonomike nga burime me intensitet të lartë industrializimi në burime me intensitet të lartë përdorimi të energjisë së riciklueshme.
Në kontekst të mirëqenies ekonomike, që mund të derivohet nga ekonomia e gjelbër, u trajtuan edhe modele ekonometrike që shpjegojnë reduktimin e mirëqenies sociale nga mbipërdorimi i burimeve ekzistuese energjetike (rryma elektrike, derivatet e naftës), dhe nën përdorimi i energjisë së riciklueshme, si inpute bazë të ekonomisë. Temat që lidhen me përdorimin efiçent të burimeve njerëzore në suaza të promovimit të ‘’punësimit të gjelbër’’, identifikimin e modeleve të bizneseve të qëndrueshëm dhe inovacionet e gjelbra, kishin për qëllim trajtimin e problemeve të alokimit të drejtë të fuqisë punëtore në aktivitetet e ‘’gjelbra’’ ekonomike, si dhe trajtimin e modeleve empirike të testuara mbi bazë të hipotezave ekonomike që derivohen brenda një kuadri konceptesh që promovojnë energjitë e riciklueshme, si inpute bazë të aktivitetit ekonomik.
Në kuadër të punëtorisë u trajtua edhe aspekti i kornizës ligjore në suaza të mbrojtjes së ambientit jetësor gjatë biznesit, me ç’rast përmes metodologjive të ndryshme u trajtua një analizë e mirëfilltë e legjislacionit ekologjik mbi rregullat kombëtare dhe ndërkombëtare që promovojnë ekonominë e gjelbër. Punëtoria u pasurua edhe me tema të tjera plotësuese, që lidhen me aspektet e marketingut të gjelbër, e që ka të bëjë me promovimin e prodhimit dhe shitjes së produkteve dhe shërbimeve të cilët janë ‘’miq ’’, të ekonomisë së gjelbër.
Pjesëmarrësit, në cilësi të ligjëruesve për temat specifike, anëtarë të stafit të Fakultetit Ekonomik, përmes inputeve intelektuale në trajtimin e temave specifike identifikuan edhe objektivat kryesore të një ekonomie të gjelbër, të cilët mund të jenë: përmirësimi i mirëqenies sociale, përdorimi efikas i burimeve natyrore, reduktimi i emetimit të substancave me potencial dëmtues të sistemit ekologjik (dyoksidi i karbonit dhe dyoksidi i sulfurit), të trajtuara edhe nga konventa e Kyotos, zëvendësimi i prodhimit industrial me prodhim ekologjik, mbrojtja e biodiversitetit, nxitja e efikasitetit të energjisë, ulja e varfërisë duke rritur punësimin e gjelbër në tregun e punës dhe duke i ruajtur burimet natyrore, si edhe shmangia e kontaminimit duke menaxhuar mbetjet përmes burimeve energjetike të riciklueshme.