Universiteti i Tetovës, në bashkëpunim me Këndin Amerikan – Tetovë dhe Ambasadën e SHBA-së, sot ndanë certifikata për fituesit e klasave I, II dhe III të të dy niveleve të shkollave fillore dhe të mesme, së bashku me mentorët e tyre – mësues të pasionuar të gjuhës angleze që luajtën rol jetik në përgatitjen e nxënësve për këtë konkurs, në garat rajonale të “Spelling Bee”. Ky aktivitet synon të nxisë mësimin e gjuhës angleze dhe të përforcojë aftësitë e të shkruarit dhe shqiptimit të fjalëve tek të rinjtë.
Në fjalën e tij hyrëse, Mr. Sc. Gëzim Sulejmani, koordinator i Këndit Amerikan të Tetovës, shprehu mirënjohjen e thellë për të gjithë ata që kontribuan në suksesin e konkursit. “Ne u jemi mirënjohës të gjithë partnerëve tanë – Ambasadës së SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Komunës së Tetovës, Universitetit të Tetovës – dhe mbështetjes së jashtëzakonshme nga vullnetarët e Korpusit të Paqes, praktikantët e ACT dhe vullnetarët tanë në Këndin Amerikan. Kjo ngjarje nuk do të ishte e mundur pa kohën, pasionin dhe angazhimin tuaj.” – tha Sulejmani.
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli u shpreh se ndihet i kënaqur që merr pjesë në këto aktivitete arsimore e kulturore për brezat e rinj. Ai tha se Universiteti i Tetovës së bashku me të gjitha institucionet e tjera, në vazhdimësi është i hapur që të kontribuojë për brezat e rinj dhe i përgëzoi të gjithë fituesit si dhe profesorët e profesoreshat, të cilët kanë punuar vazhdimisht që nxënësit të korrnin këtë sukses.
Charles M. Santiago Morales, Zyrtar për Marrëdhënie me Publikun dhe Atashe Kulturor në Ambasadën e SHBA-së, ndau gjithashtu përshtypjet e tij.” Unë u befasova pozitivisht nga guximi dhe entuziazmi i kaq shumë studentëve që morën pjesë në këtë “Spelling Bee”. Është mbresëlënëse të shohësh një numër kaq të lartë pjesëmarrësish të rinj, që të gjithë tregojnë përkushtim dhe pasion të madh. Jam vërtet mirënjohës për mbështetjen e të gjitha shkollave, mentorëve dhe institucioneve që ndihmuan në realizimin e këtij eventi.” – tha ai.
Garat e “Spelling Bee” janë një mundësi e shkëlqyer për nxënësit që të sfidojnë veten dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre gjuhësore në një ambient konkurrues, por edhe mbështetës. Pjesëmarrësit treguan përkushtim dhe aftësi të larta në shqiptimin korrekt të fjalëve, duke dëshmuar rëndësinë e këtij aktiviteti, i cili krijon mundësi të reja për nxënësit që të zhvillojnë potencialin e tyre.








