Në Universitetin e Tetovës u zhvillua ceremonia përmbyllëse e garave rajonale Spelling Bee 2026, aktivitet ky që mblodhi nxënës nga shkollat fillore dhe të mesme nga Dibra, Kërçova, Gostivari, Kumanova dhe Tetova, që ka për qëllim promovimin e gjuhës angleze dhe zhvillimin e aftësive gjuhësore. Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim me Këndin Amerikan – Tetovë, Ambasadën e SHBA-ve dhe Komunën e Tetovës. Në këtë ngjarje përmbyllëse u ndanë shpërblimet dhe certifikatat për nxënësit të cilët morën pjesë, si dhe mirënjohjet për mentorët e tyre, të cilët i ndihmuan që ta përfundojnë me sukses këtë garë. Nxënësit treguan njohuri të thelluara në drejtshkrimin e gjuhës angleze, si dhe aftësi të shkëlqyera në përballjen me sfidat e konkurrencës.
Në këtë aktivitet të pranishëm ishin Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, ambasadorja në detyrë e SHBA-ve në RMV, H.E. Mrs. Nicole Varnes, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektori për Bashkëpunim Ndëkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihi, Prorektorja për Financa, Prof. Dr. Aida Baftijari – Yzeiri, koordinatori i Këndit Amerikan në Tetovë, z. Gëzim Sulejmani, Kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, nxënësit fitues të shpërblimeve dhe familjarët e tyre.
Ambasadorja në detyrë e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, H.E. Mrs. Nicole Varnes, tha se ndërsa SHBA-të këtë vit shënojnë 250-vjetorin e saj, e kujtojnë rëndësinë e arsimit, mundësive dhe lirisë së komunikimit si themele të shoqërive të forta. Ajo shtoi se iniciativa të tilla si ky i Spelling Bee mishërojnë vlera të përbashkëta, përfshirë përkushtimin ndaj arsimit cilësor, investimin në gjeneratën e ardhshme të liderëve dhe zhvillimin e aftësive që i pajisin të rinjtë për të pasur sukses si në nivel global, ashtu edhe brenda komuniteteve të tyre.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli u shpreh se ky aktivitet është një dëshmi e rëndësisë që ka arsimi dhe zhvillimi i aftësive gjuhësore tek brezat e rinj. Ai u shpreh se gjuha angleze sot është një nga urat më të rëndësishme të komunikimit ndërkombëtar, e cila hap dyer të reja për dije, bashkëpunim dhe zhvillim profesional. Prandaj, garat si “Spelling Bee” nuk janë vetëm një konkurs drejtshkrimi, por edhe një mundësi për të kultivuar dashurinë ndaj gjuhës, për të zhvilluar vetëbesimin dhe për të nxitur frymën e shëndetshme të konkurrencës tek të rinjtë.
“Universiteti i Tetovës është gjithmonë i hapur për iniciativa të tilla arsimore dhe kulturore që kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së arsimit dhe në motivimin e nxënësve për të ndjekur rrugën e dijes. Për ne është një nder që, në bashkëpunim me Këndin Amerikan në Tetovë dhe me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mbështesim aktivitete që i afrojnë të rinjtë me mundësi të reja arsimore dhe kulturore. Në këtë rast dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë organizatorët dhe partnerët që kanë kontribuar në realizimin e këtij aktiviteti: Ambasadën e SHBA-së, Këndin Amerikan në Tetovë, Komunën e Tetovës, si dhe të gjithë vullnetarët, mentorët dhe institucionet arsimore që kanë qenë pjesë e këtij procesi. Një falënderim të veçantë meritojnë mësuesit dhe mentorët, të cilët me përkushtim dhe pasion kanë udhëhequr nxënësit drejt këtij suksesi. Puna juaj është themeli mbi të cilin ndërtohen arritjet e gjeneratave të reja. Ndërsa ju, të dashur nxënës, meritoni përgëzimet më të sinqerta. Pjesëmarrja juaj në këtë konkurs tregon guxim, vendosmëri dhe dëshirë për të mësuar. Çdo përpjekje që bëni sot për dijen është një investim i çmuar për të ardhmen tuaj. Shpresoj që kjo përvojë të jetë vetëm një hap i parë në rrugën tuaj drejt sukseseve të mëdha në arsim dhe në jetë. Universiteti i Tetovës gjithmonë do të jetë një derë e hapur për ju dhe për ëndrrat tuaja akademike”, tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Organizimi i një aktiviteti të tillë, përveç garës, krijon një atmosferë bashkëpunimi mes shkollave të rajonit, ku nxënësit jo vetëm konkurrojnë, por edhe shkëmbejnë përvoja dhe njohuri. Kjo e bën “Spelling Bee” një ngjarje që kontribuon në rritjen e cilësisë së arsimit dhe në afirmimin e Universitetit si një qendër që mbështet talentin e të rinjve.










