Në Universitetin e Tetovës, më 11 shkurt 2026, u mbajt masterklas mbi shfrytëzimin e grimcave dhe ndërtimin e planeve të trajtimit për rrezatimin e llojeve të ndryshme të kancerit, veprimtari kjo që u realizua nga profesori i Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore Prof. Dr. Bashkim Ziberi, asistentja e katedrës së Fizikës në UT Nermine Muradi dhe Yiota Foka nga GSI Darmstadt. Kjo punëtori u organizua në kuadër të “International Masterclasses for High School Students”, si pjesë e International Particle Physics OutreachGroup (IPPOG), një program që në vitin 2025 përfshiu mbi 53 institucione të ndryshme në mbi 20 shtete të botës.
Në trajnimin njëditor morën pjesë nxënësit e gjimnazeve të Tetovës, të shkollës së mesme medicinale dhe kolegjit “Maarif” të shoqëruar nga profesorët e tyre. Ata patën mundësi që të mësojnë rreth terapisë së grimcave kundër kancerit, si shembull shumë i suksesshëm i hulumtimit bazë që është zhvilluar më tej deri në pikën e përfitimit të drejtpërdrejtë për pacientët. Nxënësit mësuan se si lidhet fizika me mjekësinë, duke e kaluar një ditë në rolin e shkencëtarit në fushën e fizikës për terapinë me jone të rënda. Në këtë ngjarje të pranishëm ishin, Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, kryetari i Kuvendit Studentor Leart Ibraimi, dekani i FSHMN-së Prof. Dr. Florim Idrizi së bashku me profesorët e fakultetit.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se ky masterklas, falë përkushtimit dhe angazhimit të profesorit Bashkim Ziberi, është shndërruar në një organizim tradicional, i cili tashmë ka zënë vend të rëndësishëm në kalendarin e aktiviteteve të Universitetit të Tetovës. “Ju, si nxënës, patët mundësinë të njiheni më afër me punën, organizimin dhe funksionimin e Universitetit tonë, një vatër e dijes dhe shkencës, një institucion publik i arsimit të lartë që ka për mision përgatitjen e gjeneratave të reja. Ky aktivitet shërbeu si një fazë përgatitore, një njohje e mirëfilltë me institucionin tonë, duke iu dhënë rastin të avanconi njohuritë tuaja në mënyrë të vazhdueshme. Ne presim me entuziazëm që shumë prej jush të bëheni studentët tanë të ardhshëm, me qëllim që të fitoni njohuri sa më të mira dhe të shkëlqeni në të ardhmen në ushtrimin e profesionit tuaj.” – tha Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Gjatë kësaj punëtorie, nxënësit e shkollave të mesme patën mundësinë të dëgjojnë dhe mësojnë për metodat inovative të terapisë së kancerit duke përdorur grimca të ndryshme, duke filluar nga parimet mjekësore dhe fizike të terapisë me tufa jonike. Gjatë ushtrimeve “hands-on”, nxënësit krijuan vetë plane trajtimi me rrezatime të ndryshme (fotone, protone, jone) përmes programit profesional pa kosto të quajtur matRad dhe të njejtat i prezantuan para bashkëmoshatarëve të tyre. Ky masterklas përkoi me ditën ndërkombëtare të grave dhe vajzave në shkencë, kësisoj, me fjalim motivues për rrugëtimin shkencor, të pranishmëve, iu drejtua ish-studentja e fizikës në UT dhe tani e doktoruar në Paul Sherrer Institut dhe Universiteti i Cyrihut, Sara Mustafi, e cila në mesazhin e saj i inkurajoi nxënësit që të ëndërrojnë e të guxojnë, për një përfshirje sa më të madhe në shkencë dhe inovacion ngase me punë dhe vullnet gjithçka është e mundshme.
Në përmbyllje të këtij aktiviteti u ndanë certifikata për nxënësit pjesëmarrës, si një dëshmi e angazhimit të tyre dhe një motivim shtesë për rrugëtimin e tyre të mëtejshëm akademik.








