Fakulteti Filologjik i Universitetit të Tetovës në bashkëpunim me Macedonian American Alumni Association organizuan tryezë të rrumbullakët për nder të poetit dhe publicistit tetovar Murtezan Arifi. Ky aktivitet u hap nga dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani i cili tha se kjo tryezë është një mundësi e shkëlqyer për të nderuar dhe reflektuar mbi kontributin e vyer të poetit Murtezan Arifi, i cili në letrat shqipe ka lënë një trashëgimi të pasur dhe të çmuar.

Vlerësime për veprën e poetit dhanë edhe panelistët e tjerë të kësaj tryeze të rrumbullakët. Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Dr. Salajdin Salihi tha se miku i tij Murtezan Arifi la një trashëgimi letrare cilësore me vlera të çmuara artistike dhe të gjithkohshme dhe se krijimet e tij u shpërblyen në shumë konkurse letrare. Ndërkaq Prof. Dr. Fatmir Sulejmani e vlerësoi veprën poetike të autorit Arifi si modeste për nga ana sasiore, po e papërsëritshme dhe e arrirë për nga  vlerat estetike. Vlerësimet e tij për veprën e autorit Murtezan Arifi i shprehu edhe Mr. Bardhyl Zaimi i cili u shpreh se poeti në fjalë, ka qenë një mik i vërtetë, një frymëzues i përhershëm për gjeneratën më të re të krijuesve. Murtezan Arifi mbetet një emër i veçantë në letrat shqipe, një univers më vete, një poetikë e ëndërrt që e ka vendin e vet në letërsinë shqipe, por edhe më gjerë.

Aktivitetin e sotëm e përshëndeti edhe kryetarja e Macedonian American Alumni Association, Zorica Trajkova Strezovska e cila tha se është e lumtur që ky aktivitet po realizohet në kuadër të projektit për mbështetjen e të diplomuarve (alumni) në aktivitete vullnetare dhe jashtëshkollore dhe se shpreson shumë që edhe në të ardhmen të realizohen aktivitete të tilla të përbashkëta. Ky aktivitet u përmbyll me recitimin e disa poezive  të Murtezan Arifit nga studentet e katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.