Sot, në Universitetin e Tetovës, në ambientet e Fakultetit Juridik, Agjencia Nacionale për Arsimim Evropian dhe Mobilitet e prezantoi Programin për shkëmbimin e studentëve, stafit akademik dhe administrativ – Ersamus +.

Në këtë takim ku merrnin pjesë një numër i konsiderueshëm i studentëve dhe të punësuarve të UT-së, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu deklaroi se në kuadër të kësaj platforme të suksesshme këmbimi, Universiteti i Tetovës vetëm këtë vit ka përcjellë rreth 80 studentë nëpër universitete të ndryshme të Evropës, dhe kjo nënkupton pozicionimin tonë të fuqishëm mes institucioneve më prestigjioze evropiane të arsimit të lartë.

Ndërkaq, Aleksandar Bogojevski nga Agjencia Nacionale për Arsimim Evropian dhe Mobilitet i prezantoi kriteret, mundësitë dhe risitë që ofron ky program. Prioritete të Erasmus + edhe për periudhën 2021- 2027  mbeten cilësia në arsim dhe trajnime, përfshirja dhe barazia gjinore, tranzicioni i gjelbër dhe digjital, si dhe forcimi i bashkëpunimit me partnerë strategjikë në nivel global. Erasmus + këtë vit e ka rritur mbështetjen për përfshirje, që nënkupton se studentët me një prind, studentët me përkatësi etnike rome, si dhe studentët të cilët janë përfitues të ndihmës sociale do të kenë mjete financiare shtesë, do të thotë, mbulim të shpenzimeve deri 100 %.

Programi Erasmus + është program i Bashkimit Evropian, që mbështet financiarisht një serë veprimtarish në fushën e arsimit, trajnimit, rinisë dhe sportit, nëpërmjet shkëmbimit të studentëve dhe stafit akademik mes universiteteve të ndryshme të Evropës.