Në Universitetin e Tetovës sot u promovua libri “Arti popullor në veshjet shqiptare në Maqedoninë e Veriut” nga autorja Zejna Halimi. Në parathënien e këtij botimi thuhet se ky libër merr përsipër të analizojë strukturat artistike dhe shprehjen estetike të kostumeve dhe tekstileve tradicionale, që janë përdorur në pjesën shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Kjo ide mbiu e u shpërfaq nga fakti që materiali i grumbulluar me nge e me mund paraqet interes si në aspektin e larmisë, ashtu edhe në rrafsh krahasues kombëtar. Materiali i grumbulluar nga pasioni për trashëgiminë materiale e shpirtërore daton nga fillimi i shekullit XX i mbledhur dhe i ruajtur me kujdes e respekt nga familje dhe koleksionistë të vlerave popullore.
Profesori i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani theksoi se ky libër e pasuron dijen tonë për vlerat e së shkuarës, të cilat në jetën e sotme dinamike nuk mund të ruhen pa librat që hedhin dritë mbi thesaret, ku vend të veçantë zënë veshjet tradicionale, të trashëguara nga lashtësia e largët si pjesë e manifestimeve të fuqishme kulturore dhe traditave të kombit tonë. “Veshjet popullore tradicionale ose kombëtare shprehin identitetin e një etnie në krahina të ndryshme të një vendi dhe në periudha të ndryshme kohore. Kostumet në fjalë si kudo, edhe tek ne dikur ishin veshje të përditshme kurse sot vishen në raste festash dhe ngjarjesh të veçanta. Këto veshje janë shumë të çmuara edhe nga personalitete të dijes brenda dhe jashtë vendit tonë” – u shpreh mes tjerash profesori i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani.
Redaktori i librit, Prof. Dr. Izaim Murtezani tha se ky libër paraqet një element të rëndësishëm të identitetit tonë, për shkak se përmban shumë elemente të cilat flasin se si ai identitet është formësuar, përkatësisht, kush kanë qenë veçoritë e tij, sidomos në aspekt të kulturës, ku vend të posaçëm zënë veshjet popullore. “Libri për të cilin flasim ne është një libër i cili paraqet një sintezë të të gjitha veshjeve shqiptare në Maqedoni dhe në këtë konktekst sidomos veçohen veshjet e zonës së Rekës, të cilat pastaj kanë krijuar edhe variacione të tjera.”- theksoi mes tjerash redaktori i librit, Prof. Dr. Izaim Murtezani.
Vetë autorja e librit Zejna Halimi tha se frymëzimi për këtë libër daton që nga viti 1995, kur autorja ishte anëtare e jurisë profesionale të Festivalit “Sharri këndon”, ku edhe është mahnitur nga veshjet kombëtare të protagonistëve. “Unë e kam pasur fatin që kam qenë e rrethuar me njerëz të cilët kishin dëshirë të ndihmojnë, kishin dëshirë që shoqëria kulturore, veçanërisht veshjet popullore të prezentohen me një libër dhe t’u lëmë trashëgimi të rinjve për veshjet tona. Duke e marrë parasysh që veshjet popullore janë nga tekstili, është shumë e vështirë që të ruhen dhe të koleksionohen por akoma më e vështirë ishte të shkoja në terren dhe ta koleksionoj këtë material duke filluar në Malin Sharr, Tetovë, Gostivar, Rekë të Epërme, Dibër, Strugë, Kërçovë, Prilep, Malin e Thatë, Saraj, Patishkali dhe në Komunën e Velesit. Nuk ishte udhëtim i lehtë, por unë i falënderoj të gjithë që më ndihmuan që ky libër të botohet duke filluar nga familjarët, shoqëria dhe stafi i Universitetit të Tetovës.” – u shpreh autorja e librit Zejna Halimi.
Më pas autorja na ilustroi fotografitë e veshjeve tradicionale që i përmban vetë libri duke na shpjeguar në hollësi për to dhe karakteristikat e të gjitha krahinave të sipërpërmendura. Për librin “Arti popullor në veshjet shqiptare në Maqedoninë e Veriut” folën edhe recensentët e librit, profesoresha e Fakultetit të Arteve Prof. Dr. Jëlldëz Asani dhe profesoresha e Fakultetit Filozofik Prof. Dr. Hiriet Ziberi.