Në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Tetovës, u bë promovimi i librit “Studime pedagogjike II” i Prof. Dr. Tahir Zajazit. Ky aktivitet mblodhi bashkë profesorë universitarë, mësimdhënës, studentë, si dhe dashamirë të librit. Në fjalën e tij hyrëse, dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi tha se ky botim shënon një kontribut thelbësor në fushën e pedagogjisë, duke ofruar një analizë dydimensionale që përfshin studime historike dhe reflektime pedagogjike moderne, të cilat sfidojnë dhe zgjerojnë horizontet tona mbi arsimin bashkëkohor. “Vepra e Prof. Dr. Tahir Zajazi shquhet jo vetëm për analizat e saj të thella, por edhe për aftësinë për të lidhur perspektivat historike me ato bashkëkohore, duke ndërtuar ura midis traditës dhe inovacionit. Kështu, ai tregon se për të kapërcyer sfidat e kohës sonë, është thelbësore të kombinojmë mësimet e së kaluarës me inovacionin për të krijuar një model arsimor modern dhe gjithëpërfshirës. Duke iu referuar analizave ndërkombëtare dhe mendimeve të autorëve të njohur si Dewey, Vygotsky dhe Freire, ky libër na jep një mjet për të kuptuar thellësisht rolin transformues të arsimit. Ai na kujton se arsimi është një proces dinamik, që kërkon përditësim, përfshirje dhe mbi të gjitha, një pasion të vërtetë për dijen. Në këtë kontekst, dëshiroj të shpreh urimet më të përzemërta për Prof. Dr. Tahir Zajazin – si akademik i shquar, kritik i përkushtuar dhe mentor i vërtetë në fushën e arsimit. Uroj që kjo vepër të hapë dyer të reja për diskutime, hulumtime dhe bashkëpunime që do të forcojnë përpjekjet tona drejt një arsimi më efikas dhe gjithëpërfshirës.” – tha mes tjerash dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.

Recensenti i veprës, profesori Xhelal Zejneli thekson se libri “Studime pedagogjike II” i Prof. Dr. Tahir Zajazit është një minierë e thellë, e pasur me një numër të madh të dhënash për arsimin në Maqedoni, me theks të veçantë mbi ecuritë e arsimit shqip në periudhën e viteve 1945 e deri në ditët tona. Autori i këtij libri një jetë të tërë ia ka kushtuar arsimit. “Bazuar në njohuritë e veta teorike dhe praktike, autori i këtij libri i zbulon problemet që kanë të bëjnë me arsimin në përgjithësi si dhe me arsimin shqip, në veçanti. Thekson nevojën e marrjes së masave për zhvillimin e papenguar të arsimit shqip dhe të arsimit në përgjithësi, ofron ndihmë lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin permanent të proceseve ekzistuese në sistemin e arsimit. Autori i veprës i mbështet tendencat për modernizimin e shkollës, ndërsa funksionin e shkollës e sheh si një sistem pune. Flet për mbingarkimin e nxënësit në mësim, për tekstet shkollore, për frymën e sistemit shoqëror dhe për rivendosjen e nocioneve të nomenklaturës pedagogjike. Për tejkalimin e situatës në të cilën ndodhet arsimi në vend, parashikon zgjidhje alternative, pohon se reformimin në arsim e imponon ndërrimi i regjimit, e pasqyron profilin e mësuesit në botën globale të dijes, flet për imazhin psikologjik të mësuesit, për evoluimin dhe valorizimin e zhvillimit të nxënësit, për mësimin dhe për përvetësimin si proces, për praktikën audio-vizuale të mësimit si dhe për perceptimin nga këndvështrimi kibernetik.” – nënvizon mes tjerash profesor Xhelal Zejnelit.

Recensenti tjetër, Prof. Dr. Avzi Mustafa theksoi se ky libër vjen si një sihariq për shkollën dhe arsimin, si dhe për punonjësit e shkencëtarët në momentin e duhur, kur teknika e teknologjia na ka mbërthyer nga të gjitha anët. “Prof. Tahir Zajazi, në këtë studim, këtu i shpreh edhe shqetësimet e tij në lidhje me arsimin, punësimin, angazhimin, por aty përfshin edhe personalitete të ndryshme, që kanë ndihmuar në sferën e arsimit. Në këtë studim gjejmë edhe shqetësimet e profesorit që kanë të bëjnë me problemet e arsimit dhe përmirësimin e kushteve mësimore të studentëve shqiptarë në Maqedoni, të cilat u drejtohet personaliteteve të ndryshme nëpërmjet memorandumeve.” – tha mes tjerash recensenti i librit, Prof. Dr. Avzi Mustafa.

Profesori Reshat Qaili, në fjalën e tij përshëndetëse gjatë promovimit, solli kujtimet e tij personale me profesorin Tahir Zajazi. Ai rrëfeu se bashkëpunimi i tyre ka nisur që në kohën e shkollës së mesme, ku kishte privilegjin të ishte nxënës i tij, për të vijuar më pas me një bashkëpunim të ngushtë në Universitetin e Tetovës. Ai theksoi se gjatë këtyre viteve kanë ndarë jo vetëm përvoja akademike, por edhe projekte të rëndësishme shkencore dhe pjesëmarrje të përbashkëta në konferenca të ndryshme, ku gjithmonë ka vlerësuar përkushtimin, profesionalizmin dhe vizionin arsimor të profesor Tahir Zajazit.

Në përmbyllje të këtij aktiviteti, autori Prof. Dr. Tahir Zajazi tha se ky libër përmban një lidhje transitive ndërmjet tradicionales dhe modernes. “Në një mënyrë kam bërë përpjekje që gjeneratave që vijnë, kuadrit mësimor aktual, në veçanti atyre që do të shkollohen, t’ua lehtësoj rrugën e kalimit nga një periudhë në një periudhë tjetër. Nga sistemi tradicional në atë modern, ndërrimi i metodologjisë së punës me nxënësit, me studentët. Literatura përmban 3600 faqe, ku 600 faqet e fundit janë ato të ndërlidhjes midis këtyre dy sferave. Në një mënyrë bëj përpjekje që në mënyrë kontinuitive të fus elemente të kibernetizimit të procesit mësimor, praktikisht të fusim elemente të botës civilizuese, me një qëllim të theksuar, që vetëm ta tejkalojmë sindromën mistike e cila e pengon shkollën tonë të bëhet pjesë e gradave ndërkombëtare.” – tha mes tjerash autori Prof. Dr. Tahir Zajazi. Ai po ashtu falënderoi të pranishmit për mbështetjen dhe theksoi se libri është rezultat i shumë viteve reflektimi, përvoje dhe përkushtimi ndaj arsimit si një nga shtyllat themelore të shoqërisë.

Libri “Studime pedagogjike II” është një dëshmi e mëtejshme e këtij angazhimi dhe një burim i vlefshëm për të gjithë ata që merren me edukim, kërkim shkencor dhe zhvillim të politikave arsimore.