Në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë sot u promovua libri “Urat e Bashkëpunimit” – Elementë historikë (1994-2022) i autorit të mirënjohur nga Shqipëria, Xheladin Çeka. Në këtë libër është pasqyruar historia e themelimit të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, që konsiderohet si kthesë vendimtare në zhvillimet politike dhe kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr. Vegim Zhaku në fjalën e tij drejtuar auditorit theksoi se është nder që libri “Urat e Bashkëpunimit” promovohet në 15-vjetorin e themelimit të Fakultetit të Mjekësisë. Sipas tij, autori Xheladin Çeka ka qëndruar stoikisht përgjatë periudhave të caktuara si një lapidar i palëkundur dhe krenar, me të vetmin qëllim, arsimimin e gjeneratave të reja të popullatës shqiptare. “Si student i gjeneratës së parë i gjendur në mes të Tetovës nën vorbullën e jetës, në një periudhë jo edhe aq të favorshme si student dhe rininë e këtij vendi të brishtë, kam pasur nderin dhe kënaqësinë e veçantë që të përfitoj nga ky burim i pashtershëm energjie, nga urtësitë e tij, këshillat, pikëpamjet shkencore dhe intelektuale jo vetëm të lëndës së Histologjisë, por edhe jetës në përgjithësi. Në syrin e një studenti me shpresë dhe uzdajë, mezi pritnim ligjëratat e profesor Çekës, por jo vetëm. Librat kanë qenë gjithmonë porta për në botë të tjera dhe sot ne festojmë lindjen e një universi të ri, të krijuar nga fjala e shkruar mbi elementët historikë të themeluesve të UT-së, stafit akademik të FSHM-së dhe studentëve. Libri që ne jemi këtu për të promovuar nuk është thjesht një koleksion faqesh dhe boje; është një enë idesh, emocionesh dhe rezonon thellë përvojat e individëve, idealistëve të kohës. Ka fuqinë mbi të gjitha të njohjes, përjetimit dhe ndriçimin e kompleksitetit të jetës dhe mënyrës se si ka frymuar FSHM dhe Universiteti i Tetovës, duke u thelluar në ndërlikimet e emocioneve njerëzore, triumfeve, betejave dhe qëndrueshmërisë që i kishte përcaktuar fati. Është një pasqyrë që interpreton humanizmin, duke na kujtuar se nuk kemi qenë vetëm në gëzimet apo hidhërimet tona”, tha mes tjerash Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr. Vegim Zhaku.
Profesori i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr. Sadi Bexheti, risolli në vëmendje para pjesëmarrësve në këtë promovim fillimet e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, sfidat, ecurinë, si dhe rolin që kjo njësi akademike ka luajtur ndër vite në Universitetin e Tetovës, por edhe për rajonin në tërësi. Po ashtu, profesor Bexheti veçoi kontributin e disa mësimdhënësve për avancimin, përparimin e këtij Fakulteti që mbetet një nga njësitë kryesore për tërheqjen e studentëve të rinj dhe për kontributet jetike që jep për shoqërinë në vendin tonë.
Vetë autori i librit, Xheladin Çeka u shpreh se ky tekst vjen me synim që të hedhë dritë nga një kënd tjetër vështrimi mbi historinë e themelimit dhe të rritjes së Universitetit të Tetovës, të këtij institucioni të parë të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. I konceptuar kryesisht në formë të dhënash bazuar në dokumentacion kohor, në kujtime dhe mbresa të bashkëkohësve dhe bashkëpunëtorëve të tij në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, si dhe në refleksione të vetë autorit. “Punimi hapet me mesazhin historik të Rektorit themelues të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, i cili shprehet: “…Ëndrra e kamotshme e popullit tonë, e veteranëve tanë të arsimit, për të pasur edhe ne një Universitet me mësim në Gjuhën Shqipe po realizohet. Universiteti i Tetovës, u bë realitet sot…”. Në këtë libër është dhënë një formë e koncentruar e historisë së themelimit të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, që në fakt në një këndvështrim është dhe vetë “palca” e historisë së themelimit të Universitetit të Tetovës, që është njëherësh kthesë vendimtare në historinë politike dhe kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. I gjithë përshkrimi është parë nga optika e një pedagogu shqiptar të Tiranës, që ka qenë vetë pjesë e përcjelljes së kësaj historie për një kohë të gjatë, që nga themelimi. Kjo ka bërë që punimi të ketë një rubrikë të veçantë përshkrimin e veprimtarisë akademike-shkencore të të gjithë stafit drejtues: të gjithë dekanëve dhe rektorëve të Universitetit të Tetovës, të cilët kam pasur fatin t’i kem njohur të gjithë personalisht. Ndërkohë, duke qenë një pedagog klasik i lëndëve të formimit bazë: Histologji – Embrionologjisë dhe Imunologjisë, kam përkrahur me nota shumë vlerësuese edhe veprimtarinë e kolegëve të lëndëve Anatomi dhe Histologji, duke sjellë këtu edhe eksperienca personale bashkëpunimi ”, tha mes tjerash vetë autori i librit, Xheladin Çeka.
Në këtë libër autori ka bërë përpjekje për të pasqyruar momente më të rëndësishme të themelimit të Universitetit të Tetovës, duke specifikuar kontributin e pazëvendësueshëm të ideatorit dhe themeluesit të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, bashkë me kolegët e tij të Këshillit për Themelimin e Universitetit të Tetovës, që kontribuuan dhe e mbështetën në këtë sipërmarrje titanike.
Zyra për informim