Më 18 dhjetor (e mërkurë) 2024, programi studimor Filologji Orientale në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës organizoi një program me rastin e 21 Dhjetorit – Ditës së Arsimit Turk.

Kjo datë njëkohësisht përkon edhe me 18 Dhjetorin – Ditën Botërore të Gjuhës Arabe. Po ashtu duhet theksuar se ky vit shënon 30-vjetorin e themelimit të Universitetit të Tetovës dhe 15-vjetorin e themelimit të programitt studimor Filologji Orientale.

Në këtë ngjarje, të pranishëm ishin Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri, dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu, Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shkup Fatih Ulusoj, drejtori i përgjithshëm i Halkbank Shkup, Dr. Bilal Suxhubashë, drejtori i Institutit Junus Emre Në Shkup, Arif Konak, Rektori i Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik, Prof. Dr. Lytfi Sunar, shefi i departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Turke në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Prof. Dr. Osman Emin. Pjesëmarrës në këtë organizim ishin edhe doajenët e studimeve orientale në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, Prof. Dr. Ismail Ahmedi dhe Prof. Dr. Abdulla Hamiti.

Programi u hap nga shefi i programitt studimor të Filologjisë Orientale, Prof. Dr. Sulejman Baki, i cili theksoi se që nga themelimi deri sot kanë diplomuar 162 studentë, 27 magjistra dhe 5 doktorë të shkencave. Shumica e studentëve të diplomuar janë nga Maqedonia e Veriut, një pjesë e madhe nga qytetet Shtip, Radovish dhe Strumicë, e disa të diplomuar janë nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe Republika e Turqisë. Prof. Dr. Sulejman Baki përmendi se ai në detyrën e shefit të programit studimor ka ardhur para dy muajve dhe me këtë rast shprehu mirënjohje për Prof. Dr. Adnan Ismailin, i cili ka udhëhequr katedrën që nga themelimi dhe ka dhenë një kontribut të jashtëzakonshëm si dhe falënderoi profesorët dhe udhëheqësinë e Fakultetit Filozofik për besimin.

Në emër të Fakultetit Filozofik fjalë përshendetëse pati prodekani për shkencë, Prof. Dr. Musa Musai i cili uroi për përvjetorin dhe përgëzoi të gjithë mësimdhënësit e Filologjisë Orientale.

Në fjalimin e tij, Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoj, në mes tjerash theksoi se  “Departamentet e turkologjisë në universitetet kryesore të Maqedonisë së Veriut kanë një detyrë të madhe për njohjen e drejtë të gjuhës, kulturës dhe letërsisë turke, prezantimin e tyre në komunitetin akademik dhe përcjelljen e tyre te gjeneratat e reja”.

Pjesa e dytë e programit ishte paneli shkencor me temë  “Personalitetet poetike të qytetërimit tonë: Mevlana, Mehmed Akif Ersoj dhe Jahja Kemal Bejatllë”, të cilin e moderoi Doc. Dr. Gyrkan Moralë, kurse ligjërues ishin Prof. Dr. Metin Izeti, Prof. Dr. Mehmet Samsakçë dhe Dr. Eljesa Ismaili.

Në fund të programit ligjëruesve në emër të programit studimor iu ndanë mirënjohje, kurse pllakate të veçantë u ndanë për Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoj, Prof. Dr. Ismail Ahmedin, Prof. Dr. Abdulla Hamitin dhe Prof. Dr. Adnan Ismailin si dhe u përkujtua Prof. Dr. Mehdi Polisi, po ashtu njëri nga doajenët e Filologjisë Orientale në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Programi u mbyll me pjesën artistike të përgatitur dhe interpretuar nga studentët e programit studimor Filologji Orientale të drejtimit Gjuhë dhe Letërsi Turke, respektivisht me dy poezi nga Mehmet Akif Ersoji dhe Jahja Kemal Bejatllë, si dhe me një performancë muzikore.