Atyre, me fjalë rasti ju drejtua Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr.Vullnet Ameti, i cili ua pëcolli urimet më të sinqerta nënave dhe motrave shqiptare për festën e tyre, 8 Marsin. ,,Ju shprehim nderimin dhe mirënjohjen e pakufishme për kontributin e tyre në të gjitha fushat e jetës. Në Ditën ndërkombëtare të gruas dhe jo vetëm, e rikujtojmë rrugën e vështirë nëpër të cilën ka kaluar emancipimi i femrës, sidomos në rajonin tonë, në të cilin emancipimi i shtresës më vitale të shoqërisë sonë e përjetoi diskriminimin e pamerituar në arsim, shkencë, kulturë dhe në lëmi të tjera shoqërore. Mirëpo, femra, si shtylla kryesore e familjes dhe shoqërisë, kurrë nuk u dorëzua, nuk rreshti së kërkuari të drejtat e saj që i takojnë, si kudo në botën e civilizuar. Ajo, me vizionin e saj qëndroi e palëkundur në përpjekjet për barabarësi dhe përtej njëmijë e një pengesave arriti që sado pak ta konsolidojë statusin e saj dhe të hapërojë me ritme më të shpejta si kudo në botë. Sigurisht, ne duhet të theksojmë rolin më të rëndësishëm që luajti arsimimi për avancimin e të drejtave të femrës shqiptare dhe gruas në përgjithësi. Në vendin tonë do të ishte e paimagjinueshme që ne të synonim t’i përmbushnim objektivat e femrës shqiptare, pa veprimtarinë arsimore dhe shkencore të Universitetit të Tetovës, i cili që në fillimet e tij, përqafoi një koncept të ri jetësor për shqiptarët në Maqedoni, solli frymën iluministe pa dallim gjinie, feje e përkatësie tjetër. Me rritjen dhe forcimin e Universitetit të Tetovës, statusi i femrës shqiptare u përmirësua ndjeshëm dhe në këtë mënyrë shoqëria jonë arriti t’i përqafojë vlerat e popujve të civilizuar” – tha Rektori Prof. Dr.Vullnet Ameti.
Më pas, në ambientet e Fakultetit Pedagogjik për nder të 8 Marsit, ditës ndërkombëtare të gruar, u organizua edhe një tribunë me temë: “Ndikimi i femrës në ndryshimet shoqërore”.
Prodekania e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Rabije Murati theksoi se kur flitet për arritjen e barazisë gjinore, kryesisht nënkuptohet avancimi i pozitës së gruas në shoqëri, e në veçanti në jetën publike dhe në pozita vendimmarrëse. “Barazi gjinore do të thotë pjesëmarrje e barabartë e femrave dhe meshkujve në të gjitha fushat e jetës, pozitë të barabartë, mundësi të barabarta për të gëzuar të gjithat të drejtat e tyre dhe për të vënë në shërbim potencialet e tyre individuale në zhvillimin e shoqërisë, si dhe të kenë përfitim të barabartë nga të arriturat e këtij zhvillimi. Fuqizimi i grave është një nga gjërat më të drejta që duhet bërë, sepse përballen me diskriminimin në bazë të gjinisë së tyre dhe kjo situatë gjithsesi se mund të ndryshohet. Barazia gjinore mund të arrihet vetëm duke punuar me të gjitha segmentet e shoqërisë: burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat, të gjithë së bashku” – tha Prof. Dr. Rabije Murati.
Ndërsa profesoresha Jehona Rexhepi, ligjëruese në Fakultetin Pedagogjik tha se tashmë është e njohur se feminizmi sipas shumicës së përkufizimeve jepet si lëvizje shoqërore që për femrën kërkon të drejta dhe status të barabartë me atë që kanë meshkujt, lirinë për të vendosur lidhur me karrierën e tyre, si dhe për rregullimin e vetë jetës së tyre në përgjithësi. “Në fakt, pavarësisht nga përkufizimet që pak a shumë do të përmblidheshin kësisoji, çështja e diferencimit dhe ndërlidhjes me dy konceptet tjera, shkrim femëror dhe kritikë feministe, del më se i ndërlikuar. Në letërsi, fati tragjik i femrës paraqitet shumë herët, që në letërsinë antike, megjithatë diskursi feminist është diçka tjetër” – tha profesoresha Jehona Rexhepi.
Po ashtu, në këtë debat qëndrimet e tyre mbi rolin dhe pozitën e femrës në shoqëri i paraqitën edhe znj. Mirjana Markovska, nënkryetare e Shoqatës së grave dhe menaxhere e ELIT – Shkup, z. Sefer Selimi përfaqësues nga Demokracy Lab dhe znj. Aleksandra Cvetkovska nga Instituti Demokratik Kombëtar.
Debati për ndikimin e femrës në ndryshimet shoqërore shpalosi qëndrime dhe pikëpamje nga kënvështrime të ndryshme të cilat përveç tjerash kishin për qëllim vetëdijesimin e shoqërisë mbi pozitën e gruas nëpër kohë, por edhe në ditën e sotme.