Në kuadër të procesit të regjistrimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2026/2027, sot në Universitetin e Tetovës u zhvilluan provimet pranuese për programet studimore për të cilat, në përputhje me kriteret e përcaktuara në Konkurs, kërkohet vlerësimi i njohurive, aftësive dhe shkathtësive të kandidatëve.
Provimet pranuese u organizuan në pesë njësi akademike të Universitetit të Tetovës, përkatësisht në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, Fakultetin e Kulturës Fizike, Fakultetin e Shkencave të Zbatuara, Fakultetin Pedagogjik dhe Fakultetin e Arteve.
Në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, provimet pranuese u zhvilluan për programet studimore: Mjekësi e Përgjithshme, Mjekësi Dentare dhe Farmaci. Në Fakultetin e Kulturës Fizike, provimeve pranuese iu nënshtruan kandidatët që kanë aplikuar në programet: Kulturë Fizike dhe Shëndetësi, Trajner i Sportit – Futboll, Trajner i Sportit – Basketboll, Trajner i Sportit – Volejboll dhe Trajner i Sportit – Sportet Mundëse. Në Fakultetin e Shkencave të Zbatuara, provimi pranues u zhvillua për kandidatët e programit studimor Arkitekturë, ndërsa në Fakultetin Pedagogjik provimet pranuese u organizuan për programet Edukim Parashkollor dhe Mësim Klasor. Ndërkaq, në Fakultetin e Arteve, provimet pranuese u zhvilluan për programet e Artit Figurativ: Pedagogji Figurative, Pikturë, Skulpturë, Grafikë dhe Dizajn Grafik, si dhe për programet e Artit Muzikor: Pedagogji Muzikore, Muzikologji dhe Solo Këndim.
Organizimi i provimeve pranuese përbën një pjesë të rëndësishme të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve në programet studimore që kërkojnë njohuri, prirje dhe aftësi specifike. Përmes këtij procesi bëhet vlerësimi i përgatitjes së kandidatëve dhe i potencialit të tyre për ndjekjen me sukses të studimeve në programet e përzgjedhura. Rezultatet preliminare do të shpallen ditën e hënë më 31 gusht 2026.











