//Në UT u mbajt konferenca e pestë shkencore ndërkombërtare e Fakultetit të Kulturës Fizike

Në UT u mbajt konferenca e pestë shkencore ndërkombërtare e Fakultetit të Kulturës Fizike

2018-05-18T16:49:22+00:00 Maj 18th, 2018|
Në Universitetin e Tetovës i filloi punimet Konferenca e Pestë Ndërkombëtare Ballkanike e Shkencave Sportive e organizuar nga Fakulteti i Kulturës Fizike. Në këtë konferencë marrin pjesë studiues shkencorë të fushave të ndryshme sportive nga vendi, rajoni, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Punimet e konferencës i shpalli të hapura Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili tha se organizimi i këtij aktiviteti shkencor e konfirmon seriozitetin e institucionit tonë, përkushtimin e shkencëtarëve, studiuesve që të angazhohen konkretisht në realizimin e hulumtimeve te reja në lëmin e shkencave sportive. “Universiteti ynë ka ndërtuar marrëdhënie bashkëpunimi me shumë universitete dhe studiues nga mbarë bota dhe mbi bazën e këtij bashkëpunimi ne sot me pjesëmarrjen e tyre na kanë nderuar profesorë të njohur nga Universiteti i Ilionisit Verior nga Çikagoja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si: Prof. Dr. Chad D. McEvoy, Prof. Dr. Clayton L Camic, Prof. Dr. Steven M. Howell, Prof. Dr. James D. Ressler. Pastaj, Prof. Dr. Agron Kasa nga Republika e Shqipërisë, Prof. Dr. Mustafa Ferid Acar dhe Prof. Dr. Ramazan Savranbaşı nga Republika e Turqisë, Prof. Dr. Mesut Cerit nga Qiproja, Prof. Dr. Davorin Antonic nga Kroacia dhe shumë e shumë personalitete tjera të njohura, partnerë të çmuar të institucionit tonë. Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit tonë, i konsoliduar tashmë, ka njohur suksese të lakmueshme në edukimin e brezave të rinj dhe kërkimin shkencor. Nga kjo njësi akademike janë kualifikuar gjenerata të tëra studentësh, të cilët sot e ushtrojnë profesionin e tyre në detyra të rëndësishme në vendin tonë e më gjerë, duke mos harruar edhe emrat e njohur që e kanë vënë vulën e tyre në disiplina të ndryshme të sportit. Jam i bindur se ky tubim shkencor do të jetë një përvojë e mirë për të gjithë, ku do të dominojë mendimi shkencor, trajtimi i gjithanshëm i problematikave me të cilat përballen shkencat e sportit, sikundër besoj të përcjellë mesazhe bashkëpunimi, mirëkuptimi, tolerance dhe përkrahje të ndërsjellë, jo vetëm mes hulumtuesve shkencorë, por edhe mes popujve dhe vendeve tona” – tha Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike i Universitetit të Tetovës, Doc. Dr. Haki Ismaili, vlerësoi se në këtë konferencë theks të veçantë i është dhënë promovimit të studiuesve të rinj, të cilëve, sipas tij, u jepet mundësia për të zhvilluar karakterin dhe aftësitë e tyre të të menduarit kritik, shkrimit dhe prezantimit. Shpresoj që këto do të jenë ditët më produktive, të mbushura me prezantimin e kumtesave dhe zhvillimin e diskutimeve. Uroj që konferenca të shënojë sukses të lartë jo vetëm në këmbimin e njohurive dhe përvojave në arsimin e lartë, por gjithashtu të jetë një vazhdim i bashkëpunimit të frytshëm mes universiteteve, pjesëmarrësve, profesorëve të përkushtuar në zhvillimin e shkencave sportive në përgjithësi” – theksoi Doc. Dr. Haki Ismaili.

Pjesëmarrësit e kësaj konference me fjalë rasti i përshëndeti edhe Prof. Dr. Chad D. McEvoy, Dekan në Kolegjin e Kineziologjisë dhe Edukimit Fizik në kuadër të Universitetit të Ilinoisit Verior. Ai tha se kjo është epoka në të cilën jepen shumë mundësi për zhvillimin e arteve, shkencave, sportit, etj. Sporti është një shembull i mirë, në të cilin gërshetohen bukuria e artit dhe saktësia e shkencës. Unë e shoh sportin si ndërlidhje mes artit dhe shkencës. Shpesh mahnitem kur i shoh basketbollistët dhe futbollistët teksa luajnë, p.sh. futbollisti i njohur botërisht Lionel Messi, lëvizjet e të cilit i ngjajnë lëvizjeve artistike, por të menduara saktë në mënyrë shkencore. Në personalitetin e tij, arti dhe shkenca janë harmoni perfekte me njëra-tjetrën. Unë jam shumë i lumtur që sot ndodhem në mesin tuaj, që së bashku të diskutojmë dhe të këmbejmë idetë për shkencat e sportit. Njëkohësisht ndjehem i nderuar që jam në mesin e prorektorëve, dekanëve, profesorëve, studentëve, lojtarëve të KF “Shkëndija”, tifoz i të cilit jam edhe vetë dhe me kënaqësi e ruaj fanellën e klubit të Shkëndisë, të cilën e mora gjatë vizitës së kaluar në këtë qytet. I shpreh falënderimet e mia të veçanta Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe uroj sukses për zhvillimin e punimeve të konferencës” – potencoi Prof. Dr. Chad D. McEvoy.
Koordinatori i kësaj konference, Prof. Dr. Fadil Mamuti, njoftoi se në Konferencën e Pestë Ndërkombëtare Ballkanike të Shkencave Sportive marrin pjesë mbi 150 studiues shkencorë dhe do trajtohen tema nga fusha të ndryshme sportive. “Në këtë konferencë janë përfshirë temat si Edukimi Fizik; Sporti; Shëndeti; Menaxhimi; Forcat e sigurimit; Personat me nevoja të posaçme; Nutricizmi; Struktura antropologjike e adoleshentëve; Seleksionimi i sportistëve; Ligji mbi sportin; Karakteristikat psiko-sociale të nxënësve; Nxënësit e shkollave rurale dhe urbane; Biomekanika dhe vlerësimi në procesin edukativo-arsimor” – informoi Prof. Dr. Fadil Mamuti.
Në kuadër të hapjes solemne të konferencës, Prof. Dr. Agron Kasa nga Universiteti i Sporteve të Tiranës mbajti një ligjëratë profesionale me temë: “Universiteti i Sporteve të Tiranës drejt standardeve evropiane”.
Pas përfundimit të kësaj ligjërate Rektori i Universitetit të Tetovës ndau dhurata për Prof. Dr. Chad D. McEvoy, Prof. Dr. Agron Kasën dhe sponsorin e kësaj konference, profesor Ibrahim Deharin, pronar i restorantit Arra. Po ashtu Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ndau mirënjohje dhe logon e Universitetit të Tetovës për Presidentin e klubit futbollistik Shkëndija në Tetovë, z. Visar Bexheti dhe menaxheren e klubit të volejbollit për femra “Universiteti i Tetovës”, zonjën Laureta Abazi.
Pas marrjes së logos dhe mirënjohjes, Presidenti i klubit futbollistik të Shkëndisë së Tetovës z. Visar Bexheti e falënderoi Universitetin e Tetovës për ftesën që ua ka bërë atyre dhe lojtarëve të Shkëndisë për të qenë pjesëmarrës në hapjen e punimeve të kësaj konference. “Dua të falënderoj Universitetin e Tetovës për ftesën që na kanë bërë. Ishte nder për klubin tonë, stafin drejtues, atë teknik dhe lojtarët që të jenë të pranishëm këtu për të ndarë këto momente bashkë me Ju. Dua t’u falënderoj të gjithëve për përkrahjen e parezervë që ia keni dhënë Shkëndisë, në veçanti Rektorin e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ametin, i cili ka qenë gjithmonë i gatshëm për bashkëpunim dhe për çdo lloj përkrahje. Andaj sot shfrytëzoj rastin që në emër të klubit futbollistik Shkëndija t’i dhurojmë një fanellë të Shkëndisë me nënshkrimet e gjithë këtyre djelmoshave të mrekullueshëm, të cilët me punën e tyre arritën që të shpallen edhe kampion në ligën e parë të futbollit të Maqedonisë” – u shpreh z. Visar Bexheti, President i KF Shkëndija.
Ndërsa menaxherja e klubit të volejbollit për femra “Universiteti i Tetovës” zonja Laureta Abazai, falënderoi Rektorin e Universitetit të Tetovës për ndihmesën e madhe që ka dhënë për klubin, sepse falë ndihmës së tij, për një periudhë të shkurtë kohore, klubi ka arritur që të plasohet deri në finale të kupës. “Vlerësoj se ky kampionat që u mbyll për klubin e volejbollit të Universitetit të Tetovës u përmbyll me sukses mjaft të madh. Klubi ynë u plasua në finalen e madhe. Vlerësoj se ky sukses u arrit si pasojë e punës së palodhshme të vajzave të klubit, të cilat dua t’i përgëzoj dhe t’i falënderoj për punën dhe sakrificën që kanë bërë dhe mendoj se ato ia arritën qëllimit. Edhe pse nuk arritëm të fitojmë finalen, ato gjithmonë mbeten të arta për klubin. Dua të falënderoj edhe Rektorin e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ametin, për mbështetjen e pakursyer që i ka dhënë klubit” – tha mes tjerash menaxherja Laureta Abazi. Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, përveç disa personaliteteve, ndau mirënjohje edhe për futbollistët e FK Shkëndija në Tetovë në shenjë mirënjohjeje për rezultatet e arritura në sport, disiplinën e futbollit, si dhe afirmimin e sportit shqiptar në arendën ndërkombëtare.
Mirënjohje nga ana e Rektorit të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti gjithashtu u nda edhe për volejbollistet e klubit të volejbollit për femra “Universiteti i Tetovës” për kontributin, rezultatet e arritura në lëmin e sportit, në disiplinën e volejbollit si dhe promovimin e Universitetit të Tetovës.
Në përmbyllje të konferencës, Presidenti i klubit futbollistik të Shkëndisë, Visar Bexheti, Rektorit të UT-së, i dhuroi një fanellë të Shkëndisë me nënshkrimet e të gjithë futbollistëve të kësaj skuadre.