//Në UT u mbajt Seminari i Parë i Ditëve të Psikologjisë

Në UT u mbajt Seminari i Parë i Ditëve të Psikologjisë

2019-11-27T10:15:38+00:00 Nëntor 27, 2019|
Në Universitetin e Tetovës, në praninë e dekanëve, profesorëve dhe studentëve u mbajt Seminari i Parë i Ditëve të Psikologjisë me moton “Shëndeti mendor fillon me Ty! Ta diskutojmë bashkë!”. Seminarin e shpalli të hapur shefi i Programit studimor të Psikologjisë, Prof. Dr. Lulzim Murtezani, sipas të cilit programi studimor i Psikologjisë duhet të dëshmojë se është në trend të shkencës moderne, që ka për bazë trajtimin e shëndetit mendor. “Ideja kryesore e këtij seminari është që shkenca e psikologjisë t’i afrohet sa më afër komunitetit, shoqërisë, familjes dhe njerëzve të tjerë që kanë nevojë për ndihmesë profesionale në gjëra të ndryshme. Ne si program studimor, duke analizuar punëtoritë që do të realizohen, do të arrijmë një gjë interesante, do të dëshmojmë se si mund t’i ndihmojmë familjes, si do të mund t’u ndihmojmë fëmijëve dhe prindërve. Nëse në një familje një person ka probleme, qoftë fëmijë ose anëtar i familjes, dhe ne i ndihmojmë të tejkalojë të njëjtat përmes terapive, bisedave apo intervistave, ne i kemi ndihmuar tërë familjes”, deklaroi Prof. Dr. Lulzim Murtezani.
Seminari vijoi me prezantime të ndryshme nga pedagoget e Universitet tonë, duke filluar me Doc. Dr. Luljeta Bexheti, e cila prezantoi temën “Studime për shëndetin mendor në nivel evropian”, më pas, Dr. Sc. Sheruze Osmani Ballazhi shpalosi “Prezantimet e rezultateve nga hulumtimi HBSC në Maqedoni” dhe në fund Prof. Dr. Hana Saliu e prezantoi temën “Pikëpamjet mbi shëndetin mendor të nxënësve të shkollave të mesme”, të bashkëngjitur me një video material, ku përmes intervistave me nxënësit e shkollave të mesme shtjelluan problemet e shëndetit mendor.
Pas përfundimit të prezantimeve, psikologet Mirjana Jovanovska Stojanovska, Nadica Kostovska dhe Valmire Adili mbajtën punëtori me nxënës, studentë dhe prindër, ku diskutuan për shëndetin mendor dhe metodat që ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve përkatëse.Zyra për Informim