//Në UT u organizua Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave Humane, Sociale dhe i Arteve

Në UT u organizua Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave Humane, Sociale dhe i Arteve

2019-11-15T01:01:54+00:00 Nëntor 14, 2019|
Në Universitetin e Tetovë, më 13 dhe 14 nëntor u mbajt Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave Humane, Sociale dhe i Arteve. Në kuadër të këtij kongresi i zhvilluan punimet: Konferenca e shtatë shkencore e Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit të Administrim Biznesit, në bashkëpunim me Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Maltës. Përveç kësaj, për të gjashtën herë me radhë, konferencat e tyre shkencore i organizuan, Fakulteti Filologjik, Fakulteti Juridik dhe Fakulteti Filozofik, ndërsa u realizua edhe Konferenca e dytë e Fakultetit Pedagogjik e Universitetit tonë, në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” nga Durrësi i Republikës së Shqipërisë.
Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, duke iu referuar organizimit të këtij kongresi theksoi se veprimtaritë e kësaj natyre synojnë avancimin shkencor, prurjet e reja dhe tejkalimin e problemeve që paraqesin sfidë për shkenca të caktuara. Sipas tij, ndër vite dhe sidomos në dekadën e fundit, Universiteti i Tetovës është dëshmuar si institucioni kryesor i organizimit shkencor, institucioni mbase i vetëm në vend për realizimin e aktiviteteve të shumta në lëmenj të ndryshëm. “Ky kongres, i dyti me radhë, vjen në një format të plotë, organizohet me një pjesëmarrje të madhe të autoriteteve shkencore, ndaj vlerësojmë se kjo veprimtari me ndikim për opinionin më të gjerë paraqet ngjarjen më të rëndësishme shkencore për vitin 2019. Bashkëpunimi profesional, korrekt dhe intensiv me institucionet shtetërore, me universitetet tjera, komunitetin akademik dhe grupet tjera të interesit e kanë shndërruar Universitetin e Tetovës në epiqendër të frekuentimit të intelektualëve e shkencëtarëve nga brenda dhe jashtë vendit. Jemi të bindur se ky bashkëpunim i frytshëm do të vazhdojë të zhvillohet, jo vetëm me qëllim të ngritjes së nivelit të hulumtimeve shkencore nga fushat e ndryshme, por edhe në zbatimin praktik të rezultateve të arritura nga puna hulumtuese”, deklaroi Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Dekani i Fakultetit Ekonomik i Universitetit të Maltës, Prof. Dr. Frank Bezina, organizimin e këtij kongresi e vlerësoi si tejet të rëndësishëm për studiuesit shkencorë dhe sipas tij, thelbi i suksesit janë marrëdhëniet shkencore ndërmjet shteteve. “Është nder dhe kënaqësi që gjendem në mesin tuaj dhe shikoj përpara për bashkëpunime të reja ndërmjet institucioneve tona, jo vetëm nëpërmjet konferencave, por gjithashtu edhe përmes shkëmbimit të mësimdhënësve dhe studentëve, që të udhëtojnë nga njëri institucion te tjetri, hulumtimeve të ndryshme akademike dhe gjithçka që shihni të arsyeshme”, u shpreh Prof. Dr. Frank Bezina.
Në hapjen solemne të këtij kongresi, më 13 nëntor, u mbajt një ligjëratë profesionale nga Prof. Dr. Theodhori Karaj, me temë: “Probleme të metodologjisë së kërkimit shkencor në shkencat sociale”. Po ashtu, në kongres u përuruan edhe pesë numrat e rinj të revistave shkencore të disa fakulteteve të UT-së, siç janë: vëllimi i pestë, numri 9,10 i revistës “Vizionit Ekonomik”; vëllimi i shtatë, numri 11 – 12 i revistës “Justicia”; vëllimi i parë, numri 1 – 2 i revistës “Edukimi”; vëllimi i gjashtë, numri 11 – 12 i revistës “Filozofika” dhe vëllimi i shtatë, numri 11 – 12 i revistës “Filologjia”. Pjesa dërmuese e revistave shkencore që i publikon Universiteti i Tetovës janë me karakter ndërkombëtar dhe të njëjtat botohen në përputhje me Ligjin për arsim të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe ajo që vlen për t’u theksuar është indeksimi i tyre në EBSCO, INDEX COPERNICUS dhe GOOGLE SCHOLAR.
Në Kongresin Ndërkombëtar të Shkencave Humane, Sociale dhe Arteve u prezantuan 210 punime shkencore të rreth 300 bashkautorëve, studiues të njohur, hulumtues shkencorë nga vendi e rajoni, të cilët ndër vite kanë kontribuar për avancimin shkencor, prurjet e reja dhe tejkalimin e problemeve që paraqesin sfidë për shkencat e lartpërmendura, ndërsa më 15 dhe 16 nëntor do të organizohet edhe punëtoria me temë: “Zbatimi i metodave statistikore në hulumtimet shkencore”.Zyra për Informim