Punëtorinë e shpalli të hapur Dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore të UT-së Prof. Dr. Alit Ibraimi. Sipas tij rreth 20 % e popullatës në botë nuk ka qasje në ujërat e pijshëm. “70% e planetit Tokë është ujë. Nga 3% ujëra të freskëta, vetëm 1% është ujë i pijshëm. Gati se 8 miliardë banorë të Tokës, 20% nuk janë në kontakt me ujërat e pijshëm” – theksoi Prof. Dr. Alit Ibraimi.
Eksperti i ujërave, Bojan Ristovski, njëherit edhe pronari i firmës Aqua Save u shpreh se është shumë me rëndësi që edhe në ujë çdo gjë të faturohet me qëllim që të mos ketë humbje të ujit. Siç tha ai, mesatarja e humbjes së ujit është rreth 65% dhe nëse arrihet të ulet kjo përqindje përgjysmë, një numër jashtëzakonisht i madh i popullatës do të furnizohen me ujë. Ndërsa, Lulzim Shaqiri nga Ndërmarrja Publike Komunale – Tetovë, vlerësoi se humbja e ujit është serioze kudo dhe se shumë pak punohet për të ndaluar këtë humbje. Ai tha se me të njëjtin problem ballafaqohet edhe qyteti i Tetovës dhe se në të shumtën e rasteve uji keqpërdoret me të madhe si pasojë e pakujdesisë së njerëzve.
Aktivisti mjedisor Toni Nikushevski para studentëve paraqiti procesin më të ri të pastrimit të ajrit dhe ujit nëpërmjet fotokatalizës diellore. Mes tjerash, ai shtoi se kjo metodë ka aplikim në arkitekturë, tekstil, në prodhimin e lëndës djegëse Neo Carbon etj. Punëtoria u përmbyll me prezantimin e aktivistit mjedisor nga Eco Guerilla, Arianit Xhaferi. Ai u shpreh se uji nuk duhet të jetë element përfitimi për interesa të bizneseve private duke i inkurajuar të rinjtë që sa më shumë të reagojnë ndaj këtyre fenomeneve ngase bëhet fjalë për ujin dhe në pyetje është jeta e gjithsecilit nga ne.
Kjo punëtori ishte mjaft konstruktive, pasi u shpalosën një sërë idesh dhe qëndrimesh për zgjidhje të problemeve rreth ndotjes së ujit dhe reduktimin e humbjes së tij.
Zyra për Informim