Në Fakultetin Juridik (24.02.2021), të Universitetit të Tetovës, u bë përurimi i Klinikës Juridike të Fakultetit Juridik. Klinika juridike e Fakultetit Juridik është projekt i financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu falënderoi zyrtarët e Ambasadës së SHBA-ve në Shkup për mbështetjen e vazhdueshme institucionale që SHBA-të i ofrojnë Universitetit të Tetovës. Përurimi i kësaj klinike, jetëson përkushtimin e UT-së dhe SHBA-ve në përkrahjen e shtetit të së drejtës përmes përgatitjes së studentëve për praktikën e ligjit dhe promovimit të drejtësisë.

Në po të njëjtën frymë, Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Qebir Avziu shprehu mirënjohje për këtë investim esencial për studentët e Fakultetit Juridik, si dhe qytetarët që do të kenë mundësi të përfitojnë nga ndihma juridike që do të ofron Klinika Juridike. Në kuadër të klinikës juridike do të funksionon dhe gjykatorja e parë për studentët e Fakultetit Juridik. Kontribut të veçantë në realizimin e kësaj nisme dhanë Prof. Dr. Arta Bilalli dhe Doc. Dr. Njomza Osmani.