Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Agon Memeti, gjatë ditës së sotme priti në takim Mark Barrett, udhëheqës i Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Teknik (GIZ) për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Evzi Hanin, këshilltar rajonal i GIZ. Ky takim kishte për qëllim vendosjen e bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve, për ngritjen e kapaciteteve hulumtuese, komercializimin e tyre, hulumtimin e projekteve me interes të përbashkët dhe kyçjen e studentëve për eksperiencë praktike në projektet e GIZ.
Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti, gjatë këtij takimi theksoi nevojën për identifikimin e interesave të përbashkëta hulumtuese, krijimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, shkëmbimin e stafit, mundësinë e financimit të hulumtimeve të ndryshme, si dhe mbajtjen e punëtorive dhe seminareve për qëllime kërkimore-shkencore.
Ndërsa, Mark Barrett tha se, fillimisht do të iniciojë një marrëveshje të përbashkët, në këtë mënyrë duke sjellë një ekspert gjerman për krijimin e një strategjie mbi bazë të së cilës do të vendoset një marrëveshje konkrete bashkëpunimi.
Përndryshe, GIZ ka për qellim zbatimin e projekteve, që fokusohen në nxitjen e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Zyra për informim