Në Universitetin e Tetovës sot u bë promovimi i librit “Konflikti i vitit 2001 në fokusin mediatik” i gazetarit Bekim Adili. Ky libër është botuar në kuadër të 20-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe trajton konfliktin e armatosur në periudhën janar – korrik të vitit 2001 midis Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe shtetit të Maqedonisë së Veriut. Libri po ashtu evidenton kontributin e medias së shkruar shqiptare në Maqedoni me theks të veçantë gazetat Fakti, Flaka, revista javore Lobi, mediet kosovare dhe ato maqedonase, të cilat bënin përshkrimin e ngjarjeve që zhvilloheshin aso kohe.
Sipas publicistit Emin Azemi libri i gazetarit dhe intelektualit Bekim Adili zbërthen semantikën socio-politike të një kohe. “Sot nuk po promovojmë thjesht një libër, por po risjellim në vëmendje edhe një kufi kohor që ripërkufizonte trajtat e një diskursi të ri mediatik në gjuhën shqipe këtu në Maqedoni. Viti 2001 nuk solli vetëm ndryshimin e madh në planin politik e shoqëror të shtetit, por rivendosi edhe një drejtpeshim në dizajnimin e mendimit publik, duke ia rikthyer gazetarisë në gjuhën shqipe dinjitetin dhe kredibilitetin e munguar. Prandaj edhe librin e gazetarit dhe intelektualit Bekim Adili “Konflikti i vitit 2001 në fokusin mediatik” si dhe prodhimin gazetaresk brenda tij, do të duhej ta shohim në këtë dioptri, sepse konteksti kohor dhe dimensioni përmbajtjesor i këtij libri mëton të japë fotografinë e një skene dinamike dhe dramatike ku zhvillimet e ditës dhe efektet publike që prodhonin ato, projektonin një horizont të ri pritjeje tek audienca e gjerë. Me fjalë të tjera, viti 2001 ishte edhe një shans historik për gazetarinë që të sprovojë veten me guximin profesional dhe kredibilitetin etik e moral për të raportuar mbi ngjarje që nuk i kishte mësuar nëpër shkolla dhe kurse” – u shpreh z. Emin Azemi.
Autori i librit, Bekim Adili, tha se tre burime kryesore ku është fokusuar puna e tij në fushën mediatike kanë qenë televizionit Gurra, radio Jeta në Çikago të SHBA-së dhe gazeta Fakti në Maqedoni ku ai ka vepruar si gazetar dhe korrespodent gjatë vitit 2001 nga ku në formë analize e një ditari të shkruar, sot pas 20 vitesh nga Marrëveshja e Ohrit, po sjell në kujtesën e publikut tonë ngjarjet historike të zhvilluara përpara dy dekadave. “Mbi të gjitha shpresoj që ky botim të vlejë për institute kërkimore,institucione arsimore,biblioteka,e veçanërisht për gjeneratat e reja që ta kenë si një dëshmi historike.Busull orientimi përmes të cilës jo vetëm ta ndjejnë nesër veten krenarë për paraardhësit e tyre, por që në vazhdimësi brez pas brezi ta kenë në formë të amanetit të shkruar për rrugëtimin që duhet të ndjekin në realizimin e aspiratave tona shekullore. Rrugë për ta trasuar, të cilën jua ka siguruar lufta e vitit 2001 e pasuar nga Marrëveshja e Ohrit, garant të së cilës janë firmat e tre organizmave vendimmarrëse botërore siç janë NATO, SHBA e BE,e të cilëve shqiptarët ju janë përjetësisht mirënjohës. Sikurse të paharruar për kombin tonë do të jenë dëshmorët tanë,atdhetarët,veprimtarët, luftëtarët burrat e gratëidealistët e mëdhenj si dhe populli ynë liridashës,të cilët u bënë krah e udhëheqësit të historisë sonë të re të zotit Ali Ahmeti, i cili me modelin e tij të pavdekshëm të urtësisë, atdhedashurisë, sakrificave dhe vendimeve shtetformuese, për shoqërinë dhe klasën politike shqiptare sot e në të ardhmen duhet të mbetet një mësim i madh nga i cili kemi se çfarë të mësojmë” theksoi me këtë rast autori Bekim Adili.
Meqë ky libër është botuar në vigjilje të 20 -vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në promovim i pranishëm ishte edhe Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut z. Artan Grubi. Ai duke iu referuar punës së autorit tha se sot promovojmë një botim që në fokus ka konfliktin e vitit 2001, konflikt ky i cili na bëri që të bëjmë kthesën e madhe për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. “Qëllimi i këtij libri është që ajo pjesë e historisë sonë shqiptare, e mbetur nën hije, të zbardhet dhe të dihet më shumë dhe në mënyrë sa më të dokumentuar për dhe rreth konfliktit të vitit 2001 nën syrin mediatik. Studimi i konflikteve është një nga temat më të vështira për t’u hulumtuar dhe dokumentuar në libra. Duke iu qasur nga dimensioni teorik, kritik dhe historiografik, kësaj periudhe të historisë me të re shqiptare, ky botim synon që të japë njohuri të mjaftueshme për këtë periudhë historike e cila deri më tani është e paprekur nga studiuesit e historisë. Ky është një botim që risjell tek qytetarët një periudhë të lavdishme të kombit tonë që lufton për të drejtat e tij, pas shumë botimeve me karakter ushtarak apo politik, parë në dritën e medias së kohës. Studimi pasqyron kronologjinë e ngjarjeve dhe momentet historike sipas medias së asaj kohe, qëndrimin e faktorit ndërkombëtar, kryesisht SHBA, BE dhe OSBE nëpërmjet përfaqësuesve të saj. Tashmë pas 20 vitesh kemi një klasë politike që ka marrë përgjegjësi qeverisëse konkurruese, një klasë politike me programe politike që shpreh pjekurinë e nevojshme 20-vjeçare që nga Marrëveshja e Ohrit e deri më sot, ku jemi dëshmitarë të prirjes së projekteve të mëdha shtetërore e kombëtare” – tha z. Artan Grubi .
Në promovimin e këtij libri u shfaq edhe një videoreportazh me titull: Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në fokusin mediatik. Ky aktivitet u përmbyll me një pikë artistike nga profesorët e Fakultetit të Arteve Besiana Memeti dhe Shkëlzen Baftijari.
Në fund u.d. Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Reshat Qahili, autorit të librit z. Bekim Adili dhe zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut z. Artan Grubi ua ndau nga një dhuratë në shenjë respekti dhe falënderimi.