//Në UT u promovua libri Nyjet multietnike maqedonase – beteja për një ose më tepër shoqëri

Në UT u promovua libri Nyjet multietnike maqedonase – beteja për një ose më tepër shoqëri

2018-11-20T12:31:04+00:00 Shtator 19, 2018|

Në Universitetin e Tetovës sot u bë promovimi i librit “Nyjet multietnike maqedonase – beteja për një ose më tepër shoqëri” i autorit Prof. Dr. Petar Atanasov, aktualisht zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë. Ky libër është rezultat i punës shumëvjeçare hulumtuese në lëmin e sociologjisë, etnicitetit, grupeve etnike dhe modeleve multikulturore të bashkekzistimit, më së shpeshti për rastin e Republikës së Maqedonisë.
Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Arbër Çeliku, tha se tema që ka trajtuar autori është shumë aktuale pasi që vetë Maqedonia është një vend i theksuar shumetnik. “Në vendin tonë për shekuj me radhë kanë jetuar bashkërisht maqedonasit, shqiptarët, turqit, serbët, bullgarët, romët, vllahët. Ne vërtet flasim gjuhë të ndryshme, mbase edhe kemi kultivuar nuanca të ndryshme kulturore dhe jetësore, por në thelb, ndajmë një korpus të përbashkët vlerash njerëzore, të cilin vetëm se, në rrethanat e sotme të kthesave historike për të gjithë ne, mund të avancojmë edhe më tepër në aleancën e madhe të qytetërimit, shkencës, dashurisë, paqes dhe tolerancës, e cila njihet me emërtimin shoqëri perëndimore” – tha Prof. Dr. Arbër Çeliku.
Autori i librit, Prof. Dr. Petar Atanasov, tha se ky libër ka për qëllim përkujtimin e argumentimeve në lidhje me modelin maqedonas të multikulturalizmit. “Në këtë drejtim është bërë një përzgjedhje punimesh të publikuara në dekadën e kaluar, të lidhura me elementet kryesore të modelit, me kontestualizimin e tyre dhe theksimin e vështirësive si dhe zgjedhjet eventuale për ardhmërinë e shoqërisë. Ato janë shkrime të cilat në detaje tregojnë se ç’ndodhte pas Marrëveshjes së Ohrit, probleme të ndërlidhura me modelin multietnik maqedonas, me faktorët që ndikojnë në dezintegrimin shoqëror, raportet me të dhëna për përkatësinë e identitetit kombëtar dhe kulturor, për mundësitë që në Maqedoni të ndërtohet demokraci multietnike” – u shpreh autori Prof. Dr. Petar Atanasov.
Për librin në fjalë folën edhe promotorët e tij, Prof. Dr. Gjylymsere Kasapi dhe Prof. Dr. Rubin Zeman. Ata thanë se ky libër vjen para lexuesit në kohën kur në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë përsëri rishikohen disa nga këto çështje, sidomos debate për përdorimin e gjuhës të bashkësive. Libri “Nyjet multietnike maqedonase – beteja për një ose më tepër shoqëri” është botuar në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze.