Gjatë tre ditëve, në Universitetin e Tetovës ka qëndruar Mjeshtri i Madh i cili ka vënë në skenë 81 premiera operistike për 44 vjet punë në Teatër të Operës në Shqipëri dhe 25 vjet punë pedagogjike në Akademinë e Arteve në Tiranë.
Ardhja e Mjeshtrit Nikolin Gurakuqi dhe puna e tij gjatë tre ditëve masterklas ka sjellë eksperienca të jashtëzakonshme për studentët e Artit Muzikor dhe Artit Dramatik.
Ai është pritur në një takim miqësor nga Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli i cili e përgëzoi profesorin për gjithë suksesin në dekada, duke potencuar se për Universitetin e Tetovës është privilegj i veçantë ardhja e tij si personalitet i rrallë por dhe si trashëgimtar i trungut të familjes së Luigj Gurakuqit, i cili ishte delegat i Kongresit të Manastirit dhe nënshkrues i deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Tërë kjo punë treditore u përmbyll suksesshëm me koncertin që shfaqën studentët – pjesëmarrës në masterklas, të cilët shkëlqyen në interpretimet e tyre.
Me këtë rast u promovua edhe libri i profesor Nikolin Gurakuqit i cili përmes tij dha eksperiencën 20-vjeçare të babait të tij, Luigj Gurakuqit nga i cili trashëgoi mjeshtrinë e regjisë së operës. Pjesëmarrës në promovim ishin emra të shquar të artit muzikor përfshirë primadonën e Teatrit të Operës së Shqipërisë, Marjana Leka- Mjeshtre e Madhe, dirigjentin e Teatrit të Operës shqiptare z. Edmond Doko, drejtorin e Operës së Kosovës z. Meriton Ferizi dhe sopranon e njohur të Filharmonisë dhe Operës së Kosovës, Adelina Paloja.
Marjana Leka dhe Edmond Doko folën për ekperiencën e gjatë me maestro Gurakuqin si dhe për vlerën dhe rëndësinë e këtij botimi për studentët e Fakultetit të Arteve dhe për institucionet kulturore. Adelina Paloja foli mbi eksperiencën dhe suksesin e profesor Gurakuqit në vënien në skenë të operës së parë kosovare “Goca e Kaçanikut” në shkurt të këtij viti, ndërkaq drejtori i Operës së Kosovës z. Meriton Ferizi foli për rëndësinë e këtij libri, në cilësinë e iniciatorit dhe realizuesit të botimit. I gjithë aktiviteti u udhëhoq nga Prof. Dr. Besiana Mehmedi ndërkaq fjalën përshëndetëse e pati dekani i Fakultetit të Arteve Prof. Dr. Senad Abduli i cili në fund të promovimit ndau mirënjohje në emër të Rektorit Prof. Dr. Jusuf Zejneli për realizimin e suksesshëm të masterklasit dhe kontributin e profesor Nikolin Gurakuqit në jetën pedagogjike dhe kulturore shqiptare.