Fillimisht, diplomatët austriakë në takimin me Rektorin, Prof. Dr. Vullnet Ameti, u njoftuan për historikun e Universitetit të Tetovës, përfshirë kontributin dhe sakrificën e popullatës shqiptare në Maqedoni për zhvillimin e këtij institucioni, duke shtuar se Universiteti i Tetovës ka pasur ndikim të madh në zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë në Republikën e Maqedonisë. Udhëheqësi i sektorit për Ballkanin Perëndimor dhe zgjerim të Bashkimit Evropian në Ministrinë për Evropë, Integrim dhe Punë të Jashtme të Austrisë, Dr. Klaus Worfer, shprehi interesimin e tij për bashkëpunimin që Universiteti ynë ka ngritur me Ambasadën e Austrisë në Maqedoni dhe universitetet nga Austria. Ata po ashtu, u njoftuan për bashkëpunimin që Universiteti i Tetovës e zhvillon me Ambasadën e Austrisë në Maqedoni, ku tani më në Universitetin tonë është i hapur edhe Këndi Austriak që është një dritare e hapur miqësie mes popullit shqiptar dhe atij austriak. Gjithashtu u theksua edhe bashkëpunimi me universitetet austriake, ku në kudër të Programit Erasmus plus është bërë shkëmbimi i studentëve dhe stafit akademik. Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i falënderoi diplomatët austriakë për vizitën në UT, duke shtuar se institucioni që ai e drejton, së bashku me profesorët dhe studentët janë shumë mirënjohës ndaj shtetit të Austrisë dhe ambasadës së saj në vendin tonë, për ndihmën e pakursyer që i japin këtij institucioni. Në këtë takim, rektori ynë kërkoi nga ata që edhe në të ardhmen të vazhdojnë ta mbështesin Universitetin e Tetovës, në rrugën për forcimin e pozicionit të tij në arenën ndërkombëtare. Diplomatët austriakë, shprehën gatishmërinë e tyre që ta mbështesin dhe ta ndihmojnë Universitetin e Tetovës në përmbushjen e objektivave institucionale. Në përfundim të këtij takimi, Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Shkëlqesisë së saj, ambasadores, Renate Koblber dhe përfaqësuesit në Ministrinë për Evropë, Integrim dhe Punë të Jashtme të Austrisë, Dr. Klaus Worfer, u ndau nga një dhuratë me portretin e themeluesit, Rektorit të parë dhe historik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit.
Përfaqësues të Ministrisë për Evropë, Integrim dhe Punë të Jashtme të Austrisë së bashku me ambasadorët rajonalë të Austrisë për shtetet e Ballkanit, sot e vizituan Universitetin e Tetovës, ku u pritën nga Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe ekipi i tij. Ky delegacion i diplomatëve austriakë udhëhiqej nga ambasadorja e Austrisë në Maqedoni znj. Renate Koblber dhe udhëheqësi i sektorit për Ballkanin Perëndimor dhe zgjerim të Bashkimit Evropian në Ministrinë për Evropë, Integrim dhe Punë të Jashtme të Austrisë Dr. Klaus Worfer, të shoqëruar nga drejtori i drejtorisë në këtë ministri, Dr. Thomas Muhlmann si dhe referenti i kësaj ministrie z. Oskar Benedikt. Po ashtu, në këtë takim morën pjesë: ambasadori i Austrisë në Prishtinë z. Gernot Pfandler, ambasadori i Austrisë në Sarajevë, Martin Pammer, ambasadori i Austrisë në Tiranë, z. Johan Sattler dhe ambasadorja e Austrisë në Podgoricë, znj. Anna Jankovic.