Më 21 prill 2026, ekipi i Fakultetit Filozofik i Universitetit të Tetovës i filloi aktivitetet promovuese në terren, duke zhvilluar një punëtori në Shkollën e Mesme “Saraj”-Shkup, e dedikuar për maturantët. Kjo punëtori u organizua me temën: “Orientimi profesional për të rinjtë – rruga drejt përzgjedhjes së profesionit”, duke synuar të ofrojë mbështetje konkrete për të rinjtë në një nga fazat më të rëndësishme të jetës së tyre.
Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit patën mundësinë të informohen më gjerësisht mbi rëndësinë orientimit profesional, duke reflektuar mbi interesat, aftësitë dhe vlerat e tyre personale. Përmes metodave bashkëkohore të mësimdhënies, diskutimeve të hapura dhe ushtrimeve praktike, maturantët u angazhuan aktivisht në identifikimin e prirjeve të tyre dhe në kuptimin më të qartë të mundësive që ofron tregu i punës dhe sistemi arsimor.
Veprimtaritë e tilla synojnë jo vetëm informimin, por edhe fuqizimin e të rinjve për të marrë vendime të mirëfillta lidhur me zgjedhjen e profesionit dhe ndërtimin e karrierës së tyre të ardhshme. Punëtoritë janë konceptuar si një hapësirë interaktive, ku nxënësit mund të parashtrojnë pyetje, të ndajnë dilemat e tyre dhe të marrin këshilla të drejtpërdrejta nga stafi akademik i UT-së.
Në kuadër të agjendës promovuese për vitin akademik 2026/2027, aktivitete të ngjashme do të organizohen edhe në qytete të tjera të vendit, përfshirë Shkupin, Kumanovën, Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Dibrën dhe Strugën.






