Aktivitetet sportive të kësaj natyre, sipas Kryetares së Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës, Donika Kamberi, kanë për qëllim nxitjen e studentëve të marrin pjesë në më shumë aktivitete të lira, përmes së cilave do ta zgjerojnë miqësinë mes tyre. “Tashmë është bërë traditë organizimi i turneut në futsal nga Parlamenti Studentor, qëllimi parësor dhe i vetëm i të cilit është njohja e studentëve mes vete dhe nxitja e shpirtit garues. Me këtë aktivitet u dëshmua edhe një herë interesimi i madh për pjesëmarrje në turne nga ana e studentëve me ç’rast në emër të Parlamentit Studentor shpreh falënderime dhe mirënjohje të pakufishme për impaktin pozitiv që studentët e të gjitha drejtimeve i dhanë kësaj gare” – deklaroi Donika Kamberi.
Në tri vendet e para të këtij turneu u renditën ekipet e përbëra nga studentët e Fakultetit të Kulturës Fizike të Universitetit të Tetovës. Fitues i këtij turneu u shpall ekipi i studentëve të vitit të dytë, të cilët në finale shënuan fitore ndaj ekipit të studentëve të vitit të parë. Ndërsa në ndeshjen që u zhvillua për vendin e 3-të ekipi i studentëve të Fakultetit të Kulturës Fizike fitoi ndaj ekipit të studentëve të Informatikës nga Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore.
Për tri vendet e para u ndanë kupat dhe disa shpërblime. Fituesit të vendit të parë, kupën ia ndau Prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili, fituesit të vendit të dytë, kupa iu nda nga Kryetarja e Parlamentit Studentor, Donika Kamberi, ndërsa vendit të tretë, kupën ia dorëzoi Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. Dr. Ajri Ziba. Po ashtu u ndanë mirënjohje dhe dhurata edhe për dy arbitrat e këtij turneu, Mirsat Fazlija dhe Amir Bardhi, të cilëve ua ndau shpërblimet Prorektori për Financa i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Alifeta Selimi.